Lajme

Dimri vjen të dielën, rënie drastike e temperaturave dhe dëborë 40 cm

Meteorologia Tanja Porja ka bërë parashikimin e kushteve atmosferike për ditët në vijim, deri të martën e ardhshme.

Porja tha se deri të shtunën kushtet e motit do të jenë thuajse të njëjta, me reshje të pakta shiu dhe temperatura të ngjashme me ato të ditës së sotme.

Por sipas saj, ditën e shtunë dhe kryesisht të dielën, do të ketë një rënie drastike të temperaturave, të cilat do të shkojnë rreth 8 gradë më pak.

Ajo shtoi gjithashtu se në zonat lindore dhe jug-lindore do të ketë reshje dëbore që do të shkojnë deri në një trashësi 20-40 centimetër.

“Moti tipik i vjeshtës do vijojë edhe për ditën e enjte dhe të premte. Ndërsa të shtunën presim që termometri t’i afrohet normalitetit të stinës, duke shkuar në rreth 0 gradë në orët e para të ditës, ndërsa mesdita mbetet me temperatura relativisht të larta, rreth 16 gradë maksimumi.

Kemi një rënie të temperaturave, kryesisht ditën e shtunë. Edhe ditën e shtunë reshjet do të jenë të pakta dhe në zona të izoluara. Po ashtu të shtunën do të kemi reshje dëbore, kryesisht në zonat lindore dhe jug-lindore.

Mesdita e së dielës sjell një rënie të ndjeshme të temperaturave, rreth 8 gradë më pak. Temperaturat do të jenë jo më shumë se 12 gradë celsius. Deri mesditën e të martës reshjet do të jenë me intensitet mesatar, por kryesisht reshje dëbore në zonat malore lindore. Presim të paktën 20-40 cm dëborë në zonat lindore”, tha meteorologia Porja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *