Sipërmarrësit e rinj në veri: Mos e braktisni Shqipërinë
Qarku i Kukësit është ndër rajonet më të prekura nga emigracioni por aty gjen edhe shumë të rinjë që kanë zgjedhur ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri. Ata kanë krijuar bizneset e tyre të lidhura me natyrën dhe mikëpritjen.
Një ndër ta është Bledar Jubani i cili prej gati dy dekadash menaxhon bujtinën e tij në Valbonë. Ai tregon se vendimi për tu angazhuar në një sipërmarrje të tille ishte në kohën e duhur dhe nxit të rinjtë të mos e braktisin Shqipërinë.
“Vendi ynë ofron ende shumë mundësi në sektorin e turizmit dhe përtej tij. U bëj thirrje të rinjve të qëndrojnë në Shqipëri, pasi vendi ynë ka një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e bizneseve në fusha të ndryshme, jo vetëm në turizëm” thotë Bledari.
Bukuritë e Shqipërisë e kanë frymëzuar edhe Erind Zallin për të krijuar një biznes në vendlindje. Ai është një udhërrëfyes për turistët e shumtë që vizitojnë veriun e vendit.
“Para se të nisja këtë biznes, malet për mua ishin thjesht një pasion. Vendosa ta zhvilloj këtë pasion, duke e kthyer fillimisht në profesion dhe më pas në një start-up, i cili deri tani po rezulton i suksesshëm. Prandaj, ftoj të gjithë të rinjtë e Qarkut të Kukësit të ndjekin pasionet e tyre dhe t’i zhvillojnë këtu, në veri” thotë Erinidi që nuk është tunduar asnjëherë për të lënë Shqipërinë.
Të rinjtë janë duke shfrytëzuar mundësitë që rajoni ofron për të krijuar sipërmarrje dhe zhvillim të qëndrueshëm. Elias Mazloum thotë se ndërtimi i një biznesi në veri është një mundësi për të shfrytëzuar potencialin e madh të zonës si edhe për të qëndruar më pranë komunitetit.
Ai vuri theksin të shfrytëzimi i teknologjisë dhe mediave të reja për të marketuar më shumë bizneset dhe shërbimet që këta të rinj ofrojnë.
Mundësitë për investime në veri
Janë të shumëta mundësitë dhe mbështetja që ofrohet për të rinjtë në rajonin e Kukësit. Projekti “Perspektivat e reja” i financuar nga qeveria britanike prej kohësh është duke ofruar mbështetje për të rinjtë që investojnë në veri.
Pak kohë më parë ata organizuan Javën Globale të Sipërmarrjes në Kukës ku bënë bashkë liderë të industrisë, vizionarë dhe një komunitet dinamik profesionistësh për të festuar fuqinë e inovacionit dhe bashkëpunimit. Aktiviteti u ndoq nga 400 pjesëmarrës, kryesisht të rinj nga Kukësi, Dibra, Tropoja dhe Hasi.
Duke nënvizuar rëndësinë e zhvillimitë të veriut të Shqipërisë, ky aktivitet mblodhi zyrtarë të lartë të qeverisë shqiptare dhe të Mbretërisë së Bashkuar, duke përfshirë ambasadorin britanik në Shqipëri Nick Abbott. Drejtuesi i projektit Vasyl Chornyi shprehu entuziazmin për këtë ngjarje dhe pohoi angazhimin e Perspektiva të Reja për të mbështetur më shumë biznese në veri të Shqipërisë.
“Ne besojmë se sipërmarrja ofron një alternativë të qëndrueshme ndaj migrimit të parregullt. Veriu i Shqipërisë ka një potencial të jashtëzakonshëm të pashfrytëzuar dhe me mbështetjen e projektit tonë dhe institucioneve të tjera publike, fillimi i një biznesi në rajon mund të bëhet realitet. Përqafoni dhe investoni në veriun e Shqipërisë është një rajon plot me mundësi” thotë Chornyi.