Lajme

Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor ndalon në Durrës, 66 të rinj nga shtete të ndryshme evropiane emocionojnë publikun

Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor (WBYO) vazhdon turneun e saj veror, duke mbledhur së bashku 66 muzikantë të rinj nga 17 qytete të Evropës.

Pas performancave të suksesshme në disa vende të rajonit, përfshirë Malin e Zi, Bosnje dhe Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, ndalesa e radhës ishte Durrësi, ku të rinjtë performuan në teatrin “Aleksandër Moisiu.”

Mbrëmja ishte e mbushur me emocione dhe tinguj muzikorë që arritën të prekin zemrat e të pranishmëve. Këta muzikantë të rinj, që vijnë nga qytete të ndryshme të Evropës, kanë sjellë një energji të re dhe të freskët në çdo qytet ku kanë performuar, duke krijuar një lidhje të fortë me publikun e tyre.

Një prej të pranishmëve në koncert, që kishte udhëtuar posaçërisht nga Tirana për të ndjekur performancën, tha për Deutsche Welle:

“Kam ardhur që të shoh këtë koncert, sepse kam parë edhe të parin kur u bë hapja e projektit te Amfiteatri, ishte diçka fantastike. Fantastike, shumë emocionuese. Jam shumë e interesuar për këta të rinj shumë të talentuar.”

Drejtuesi Artistik i Orkestrës Rinore të Ballkanit Perëndimor, Desar Sulejmani, theksoi rëndësinë e mbështetjes së publikut në realizimin e projekteve të tilla në vendet e rajonit.

“Ky është stacioni ynë i pestë, ku ne ndodhemi në Durrës me koncertin e radhës. Pas koncertit të Novi Sadit, ne do të jemi në Berlin, me koncertin tonë të përvitshëm atje në ‘Konzerthaus’ në kuadër të festivalit ‘Young Euro Classic’ në datën 16 gusht”.

Sulejmani shtoi gjithashtu se përvoja e turneut ka qenë pozitive për të gjithë të përfshirët, jo vetëm për muzikantët, por edhe për organizatorët.

“Mbështetja e publikut ka qenë kudo e madhe, kështu që ne jemi të gëzuar që i kemi projektet tona këtu në Ballkanin Perëndimor dhe që do t’i zhvillojmë edhe në vijim,” përfundoi ai.

Turneu veror i Orkestrës Rinore të Ballkanit Perëndimor do të vazhdojë me synimin për të bërë bashkë të rinjtë nga shtete të ndryshme, për të krijuar një frymë bashkëpunimi dhe solidariteti nëpërmjet artit të muzikës.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by DW Shqip (@dw.shqip)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *