FeaturedLajme

Flakët rrethojnë disa hotele në Shëngjin, vatra zjarri edhe në Korçë e Vlorë

Situatë dramatike pranë Ranës së Hedhun në Shëngjin, ku prej disa orësh flakët kanë dalë jashtë kontrollit duke rrethuar edhe hotelet e resortet turistike.

Zjarri ka përfshirë kordën me pisha, ndërsa sot është dita e tretë që kjo vatër zjarri po djeg bimësinë e zonës mes Ranës së Hedhun dhe Portit të Shëngjinit.

Zjarrfikës dhe banorë të zonës janë aktivizuar duke u përpjekur të mbajnë nën kontroll flakët që në dias raste kanë rrethuar hotelet dhe një resort buzë detit.

Të shumtë kanë qenë ata pushues që kanë mbledhur sendet personale dhe janë larguar nga zona, jo vetëm nga rreziku i përhapjes së zjarrit por edhe se tymi që ka mbuluar një zonë të madhe e vështirëson së tepërmi frymëmarrjen.

Një banor i zonës ka hedhur dyshime për zjarrvënie të qëllimshme, për hapjen e parcelave të ndërtimit mes pemëve.

“Ky është tmerr, nuk ka dyshim për mua që këto janë zjarrvënie të qëllimshme për të shkatërruar këto pisha të bukura që janë vlerë, dhe për të ndërtuar hotele. Kush ka marrë leje për të ndërtuar këtu sipër rrugës të futet në burg. Është mafia e ndërtimit”, është shprehur një pushues i zonës.

Sakaq, në pyllin e Bodës në Maliq të Korçës ka shpërthyer një vatër e madhe zjarri. Një tjetër vatër zjarri raportohet se ka shpërthyer në Kaninë të Vlorës.

Terreni i thyer dhe era e fortë në të treja zonat po e vështirëson së tepërmi punën e zjarrfikësve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *