32 orë punë në javë, specialistja: Shteti mund të ndryshojë Kodin e Punës
Disa vende evropiane zbatojnë nismën e 4 ditëve punë në javë për punonjësit e tyre. E ftuar në programin “Aldo Morning Shoë” në Tv Klan, specialistja e burimeve njerëzore, Elda Bajraktari mendon se ka ardhur koha që të aplikohet gjerësisht edhe në Shqipëri.
Specialistja thotë se ka disa biznese të vogla që tashmë e zbatojnë javën e 32 orëve punë. Por ajo thekson se është një çështje mendësie dhe nuk duhet ngatërruar si koncept. Bajraktari shpjegon se të punosh 4 ditë në javë nuk do të thotë të ngjeshësh brenda tyre punën e 5-6 ditëve.
Elda Bajraktari: Të punosh 32 orë në javë nuk duhet të humbasësh në radhë të parë pagën e 40 orëve apo pagën e javës së plotë të punës.
Aldo: Ama, të punosh, të punosh jo te kafja në orën 8 dhe pastaj te zyra.
Elda Bajraktari: Të punosh, të punosh tani individi i përgjigjet pak edhe menaxhimit. Nëse menaxhimi është i duhuri dhe nëse menaxhimi është frymëzues mjaftueshëm, puna është punë, qejfi është qejf.
Aldo: Dakord, por është pak abuziv ky menaxhimi frymëzues. Hajde e merre vesh çfarë do të thotë frymëzues.
Elda Bajraktari: Menaxhimi është, e para njëherë, në bazë të shembullit individual që jep secili menaxher, është përcaktimi i objektivave dhe detyrave të qarta, menaxhimi i kohës që kërkon zbatimi i kësaj detyre dhe kështu me radhë. Them që është një mendësi sepse këtu përfshihet menaxhimi, përfshihen kostot, planifikimi dhe konceptimi i fuqisë punëtore sepse bizneseet kanë shprehur edhe rezistencë në zbatimin e kësaj jave 32-orëshe duke thënë që kemi frikë se do humbasim klientët ose kemi frikë se nuk do të ofrojmë dot shërbim. Javën 32-orëshe nuk do të thotë që nuk do të ofrosh shërbimin, ti do duhet ta vazhdosh shëbrimin, ta ofrosh sidomos në disa sektorë që janë jetikë por ti do duhet të riplanifikosh fuqinë punëtore që të nevojitet për ofrimin e këtij shërbimi, pra nëse deri dje të nevojiteshin 5 persona, mbase do të të duhen 6 persona dhe kjo do të ketë edhe ndikimin pozitiv në rritjen e punësimit.
Specialistja shton se bizneset private nuk mund të detyrohen për ta zbatuar, por mund të gjenden forma nga shteti për t’i orientuar drejt saj.
Elda Bajraktari: Shteti ka në dorë të bëjë diçka: mund të ndryshojnë Kodin e Punës, mund të ndryshojë ligje të caktuara të cilat të çojnë dhe të orientojnë drejt zbatimit të një jave 32-orëshe të punës. Siç e ka sot Kodi i Punës thotë: java nuk mund të zgjasë më shumë se 40 orë. Atëherë mund ta bëjmë edhe konvertimin e ligjit, të themi që java nuk mund të zgjasë më shumë se 32 orë.