“Ndërtimi s’ka punonjës” në Vlorë ikën fuqia punëtore, ndërtuesit: Jemi në krizë!

Në Vlorë sektori i ndërtimit është në një krizë për punonjës.

Sipas ndërtuesve atje, zona ka parë një ikje masive të punëtorëve dhe specialistëve, ndërsa shpresojnë që mungesat në treg do t’i plotësojnë vendet e tjera që mund të sjellin punëtorë.

Krahas shumë sektorëve të tjerë që kanë mbetur pa punonjës, duket se edhe sektori i ndërtimit po vuan për krah pune.

Në Vlorë, jo vetëm specialistët, por sektori i ndërtimit po vuan edhe për mungesë të punëtorëve të thjeshtë.

“Ka një problematikë në punësimin e krahut të lirë të punës,” tha Breshani.

Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Indrustrisë, Arben Breshani në Vlorë, thotë se një ndër shkaqet kryesore është emigrimi.

“Shumë ish-specialistë elektiçistë, hidraulikë nuk janë më në qytet pasi kanë marrë rrugën e emigracionit, kjo është një shenjë jo e mirë për këtë sektor,” tha ai.

Ky sektor po kthen sytë nga vendet e huaja që mund të furnizojnë Shqipërinë me punonjës.

“Mendojmë që në të ardhmen të vijnë punëtor nga vendet e tjera për këtë sektor. E njëjta situat, si u punësuan me sekrorin e Turizmit, që u punësuan nga Bangladeshi, Filipinet dhe nga vende të tjera,” tha ai.

Nga ana tjetër krahas krizës ekonomike, rritjes së çmimeve të lëndëve të para dhe mungesës së fuqisë punëtore, çmimet në industrinë e ndërtimit janë rritur ndjeshëm.

Nëse marrim në referencë 10 vite më parë, çmimi i një apartamenti në Vlorë nuk i kalonte shifrat e 800 eurove për metra katror, ndërsa tashmë në zonat turistike kap vlerën edhe të 2500 eurove për metër.