Gjendet 26-vjeçarja nga Tirana: Jam martuar në Gjermani, s’dua të flas me familjen

Një 26 vjeçare është gjetur nga emisioni “Pa gjurmë”, pasi kishte tre vite që nuk komunikonte më me familjen e saj.

Xheni Voka nga Tirana ishte martuar me një shtetas gjerman dhe nuk ka pranuar të flasë me nënën e saj. Ajo nuk ka komunikuar as kur humbi të atin nga kanceri e me sa duket asgjë nuk e bind të rilidhet me njerëzit e saj.

“Nuk jam Xheni Voka e kam Pruggmayer, nuk dua të kem kontakt me familjen time, i kam shkruajtur që jam shume mirë dhe të mos më shqetësojnë. Nuk e ndiej të arsyeshme të mbaj kontakt apo të flas sepse nuk kam dëshirë. Besoj e morët informacionin”, i ka shkruar ajo gazetares Odeta Dume.

Xheni Voka është martuar në Berlin, me një shtetas gjerman dhe ndaloi së komunikuari me familjen e saj kur ata i kërkuan të ndihmonte babain me kancer. Vajzës nuk i pëlqeu kjo dhe mbylli telefonin e nuk u kthye as kur babai ndërroi jetë.

Edhe pse 60 vjeçarja doli hapur dhe e kërkoi në emision, vajza e vendosur tha se nuk do të kthehet më.

Nëna e vajzës tha se nuk e priste nga e bija këtë përgjigje, ndërsa i dërgoi asaj një mesazh duke e njoftuar se babain tashmë e kanë humbur. Dhe do të vijë një ditë që ajo do të dojë të flasë me motrat dhe nënën. Megjithatë e ëma kërkoi që vajza të hiqej nga lista e personave të humbur dhe tha se ajo do respektojë zgjedhjen e së bijës.