Erdhi dimri! Reshje shiu dhe bore, parashikimi i motit për javën e ardhshme

Vendi ynë u ndikua sot nga kalimi i një fronti okluz meteorologjik shoqëruar me masa ajrore të lagështa dhe kontraste të forta termike.

Kjo situatë solli si rezultat reshjet e dendura dhe të rrëmbyeshme të shiut kryesisht përgjatë ultësirës perëndimore ndërsa reshjet e shiut do të vijojnë deri në fund të ditës.

Por si do të jetë java që presim përpara?

Edhe pse na ndajnë vetëm pak ditë nga stina e dimrit, ditët që presim përpara duken ditë “tipike” dimri.

Thënë kjo duke marë parasysh parashikimet për reshje shiu, rënien e temperaturave si dhe reshjet e dëborës.

Për ditën e Hënë moti parashikohet me vranësira mesatare dhe të dendura si dhe reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët dhe mesatar në formën e shtrëngatave. Në relievet e larta malore reshje dëbore.

Për ditën e Martë dhe atë të Mërkurë pritet përsëri kalimi i një fronti të ftohtë atmosferik.

Moti parashikohet me vranësira të dendura dhe reshje shiu të cilat ditën e martë do të jenë të herëpashershme me intensitet mesatar dhe përgjatë ultësirës perëndimore deri të lartë në formën e rrebesheve dhe stuhive.

Ditën e Mërkurë reshjet me intensitet të ulët dhe mesatar në formën e shtrëngatave.

Në relievet malore në lindje të territorit reshje dëbore.

Duke filluar nga dita e Enjte pritet përmirësimi gradual i kushteve atmosferike.

Moti për këtë ditë parashikohet me alternime kthjellimesh e vranësirash shoqëruar me reshje shiu të herëpashershme por të dobta dhe lokale.

Për ditën e Premte moti parashikohet i kthjellët por me rënie të temperaturave të cilat në relievet malore në lindje pritet të kapin vlerat negative.