Me teknikë ushtarake dhe plan të mirëorganizuar, si e realizuan në pak minuta atentatin në Fushë-Krujë vrasës me pagesë

Me një teknikë ushtarake, vrasës me pagesë dhe të mirëpërgatitur dyshohet se ekzekutuan mesditën e së dielës tre të rinjtë, Brilant Martinaj, Dikler Vata dhe Besmir Hoxha dhe pas vrasjes shkatërruan me dinamit ose lëndë djegëse makinën me trupat e të vdekurve.

Këto janë detajet e reja nga hetimi për atentatin mafioz që ndodhi te mbikalimi i Fushë Krujës, ku ndaj të rinjve u qëllua me mbi 90 plumba kallashnikovi, teksa po udhëtonin në një automjet tip “Volswagen Passat”.

Breshëria e plumbave ndaj Martinajt dhe dy miqve të tij erdhi nga një tjetër automjet “Volswagen Passat”, i cili udhëtonte paralel me ta.

Po ashtu, bëhet me dije se atentatorët kanë qenë katër persona, të cilët ndonëse kanë kaluar rreth 24 orë nga ngjarja kriminale, nuk janë identifikuar ende. Pasi kanë qëlluar me breshëri plumbash ndaj viktimave, autorët dyshohet se i kanë vënë flakën makinës së tyre, duke përdorur lëndë djegëse. Deri më tani, policia ka shoqëruar 15 të dyshuar, ku shumica e tyre janë nga Nikla dhe rezultojnë me rekorde kriminale. Efektivët e RENEA-s dhe të FNSH-së kanë kryer kontrolle deri në orët e para të mëngjesit, ndërsa janë rikthyer sërish sërish në vendngjarje për mbledhjen e provave të reja.

Policia po kryen hetime bazuar në dy pista kryesore, atë të larjes së hesapeve dhe hakmarrjes, pasi viktimat rezultojnë emra të njohur për drejtësinë shqiptare. Shënjestër e këtij atentati dyshohet se ka qenë 23-vjeçari Brilant Martinaj, kushëri i Ervis Martinajt, i cili ishte ulur në vendin e parë të automjetit, në momentin kur u qëllua me kallashnikovë.