Kush e vrau shqiptarin në Belgjikë? Detaje nga atentati i mbrëmshëm

Mbrëmjen e djeshme është plagosur rëndë me armë zjarri në Bruksel Erion Hasanbelliu, i njohur ndryshe si Mikel Rakipllari.

Me 6 plumba të marrë pas shpine 43-vjeçari i cili u bë pre e atentatit ndërroi jetë në spitalin e Brukselit.

Dëshmitarët kanë treguar se kanë parë dy burra që qëlluan ndaj shqiptarit e më pas u larguan në një rrugë anësore, në të majtë të hotelit.

‘Ishin dy burra pak më të rritur, njëri qëlloi papritmas tjetrin disa herë dhe ikën në një rrugë anësore në të majtë të hotelit. Ai ishte tullac, i vogël dhe trupmadh”, deklaron dëshmitarja okulare.

“Nuk e kemi idenë se kush është viktima, por kamera e sigurisë së hotelit ka filmuar gjithçka. Kolegu im e pa që ndodhi dhe është në shok”, thotë recepsionisti i hotelit.

Hasanbelliu është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, pasi dyshohet të ketë qenë pjesë në disa vrasje.

Erion Hasanbelliu dyshohet se ka qenë shofer në ngjarjen kur ju bë atentat biznesmenit Sokol Çapjas, gjithashtu ka dyshime të forta se ai ka qenë pjesë në ekzekutimin e Bledar Muçës.

Erion Hasanbelliu u ekstradua nga Belgjika drejt Shqipërisë në 21 Tetor të vitit 2013-të pas kërkesës së Interpol Tirana në vitin 2013-të, pasi ai bashkë me të vëllain akuzoheshin se në vitin 2002, kanë vrarë në Belgjikë, Julian Çelën dhe kanë plagosur rëndë, Kasandër Nogan.