Nga 1 maji të gjitha shërbimet online, Rama: Nuk ka më certifikata në letër, kursehet kohë dhe para

Nga 1 maji, nuk do të ketë më sportele dhe çdo shërbim publik do të ofrohet online. Deklarata erdhi nga kryeministri Edi Rama, pas fjalës së drejtuesve përgjegjës të institucioneve kryesore në vend që kanë aplikuar shërbimet online. Nga AKSHI te shërbimi i gjendjes civile dhe QKB te drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor dhe Kadastra të gjithë bënë bilancin e shërbimeve elektronike që sipas tyre kanë përmirësuar standardet dhe shërbimet.

Në fjalën e tij kryeministri Edi Rama tha se kjo është një epokë e re dhe një stacion historik i revolucionit digjital që i jep fund radhëve, zvarritjeve dhe bakshisheve.

“Shembulli i DPSHTRR përbën një burim shumë domethënës informacioni dhe eksperience për këtë proces tërësisht transformues që e çon administratën nga një makineri e shtrirë në territor në një instrument në shërbim të çdo qytetari në xhep, në smartphone apo kompjuterin më të afërt. Është një transformim i jashtëzakonshëm për të cilin ka një shembull ndër shumë të tjerë. Vetëm përmes digjitalizimit i është dhënë mundësia administratës të bëjë performancën më të lartë. Në datën 30 prill nuk ka më sportele në Shqipëri”.

Kryeministri Rama, njoftoi se nuk më asnjë kuptim që në pikat e gjendjes civile të shpërndahen certifikata letër, duke qenë se gjithçka mund të realizohet online.

“I kam kërkuar sekretarit të ministrisë së Brendshme që të marrë të marrë të gjithë printerat dhe letrat në mënyrë mos ketë asnjë mundësi certifikata me letra, nuk ka nevojë. Është humbje kohe është humbje para dhe humbje kohe për njerëzit. Janë 7 milionë euro që janë kursyer nga sportelet që harxhoheshin për të marrë letra. Dhe do të kursehen edhe më shumë. Është e padrejtë që njerëzve vazhdon dhe i jepen certifikatë letër”, tha Rama.

Sipas kryeministrit Rama falë transformimit digjital u arrit që të bëhej e mundur njohja e patentave shqiptare në Gjermani, që deri para këtij procesi ishte e paimagjinueshme.

“Deri para këtij procesi ishte e paimagjinueshme që Gjermania, shteti më strikt në Evropë por edhe në botë të njihte patentat e Shqipërisë. Në gjithë procesin e dhënies së lejeve të drejtimit kishte rregullsi. Por ka pasur një numër të konsiderueshme që janë dhënë në mënyre të parregullt. Kjo e bënte të pamundur që Gjermania të njihte patentat e Shqipërisë. Mua më kujtohet fare mirë kur e kam ngritur këtë çështje, sepse ishte kërkese e një bashkësie që jetojnë në Gjermani, i gjithë reshti i palës gjermane u rudh në fytyrë sepse ishte e pakuptueshme për ta. Pastaj duke e ditur se kishim bërë një progres të konsiderueshëm me çka kishte sjellë transformimi digjital me insistimin tonë kërkuam të vinte një inspektim. Ka një qenë një nga momentet e krenarisë time ku ky inspektim doli pozitiv. Inspektorët gjermanë dolën të shokuar, sepse nuk e prisnin atë realitet të transformuar”, tha Rama.

Ndërkohë drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor Blendi Gonxhe tha se mbyllja e sporteleve dhe kryerja e shërbimeve online përbën një histori suksesi për vendin.

“DPSHTRR ofronte vetëm katër shërbime online në fund të 2018-s, dhe sot kemi 77 shërbime online për qytetarët dhe subjekteve në platformën e qeverisjes digjitale dhe në ëeb, pra rreth 19-fish se katër vite më parë. Falë investimeve në sistemin elektronik në vitin 2021, u ofrua në formë digjitale ose u eliminuan plotësisht 2,4 milionë shërbime, duke eliminuar pritjet dhe angaritë në sportele dhe duke iu kursyer qytetarëve kohë. Vetëm gjatë vitit 2021 janë eliminuar plotësisht mbi 493 mijë shërbime përmes ristrukturimit të procedurave, që është një element tjetër i punës për digjitalizimin, duke i kursyer qytetarëve mbi 25 milionë km. Shërbimet e transportit rrugor me plot gojën mund të quhen se janë një histori suksesi. Përmes platformës e-albania kemi 1.5 milionë shërbime për qytetarët, subjektet, bizneset duke e 13-fishuar në vitin 2021 gamën e shërbimeve aktive krahasuar me 2018. Revulcioni digjital ka vetëm një moto që është interesi publik, DPSHTRR, që është një shërbëtor publik, vetëm për vitin 2021 u ka kthyer xhepit të qytetarëve rreth 2 miliardë lekë të reja”, tha Gonxhja.

Për kreun e Kadastrës, Artan Lame kalimi i shërbimeve publike online ka funksionuar edhe në këtë sektor, ku gjatë vitit të kaluar janë dhënë 1.51 milion shërbime kadastrale, prej tyre 242 mijë janë certifikata pronësie, duke i dhënë fund edhe tjetërsimit të pronave. Sipas tij sfida e këtij viti janë gabimet dhe mitmarrja.

“Në 30 vjet, çështja më stresuese për shqiptarët ka qenë prona dhe shërbimet me të, por për vitin e kaluar vetëm në këtë fushë u dhanë 1.51 mln shërbime kadastrale nga të cilat 242 mijë certifikata e pronësie, të gjitha online. Dyfishi i vitit paraardhës. Është e kaluar historia merrja pronën njërit jepja tjetrit. Tani kemi detyrë që edhe Lenës edhe Prenës t’i shërbehet njësoj dhe në kohë. Të gjithë në fillim kishim dyshime, unë i pari kisha shumë dyshime, por viti i kaluar tregoi se funksionon. Aplikimi qytetarëve në Kadastër ka ende probleme me vonesat, gabimet e bëra dhe mitmarrja dhe këto janë sfida e këtij viti për institucionin, por tashmë nuk ka më sportele, nuk janë më ata llafollogët e sporteleve, ata tashmë janë pas një kompjuteri ku nuk takojmë më njeri por presin aplikimin për ta ndjekur e për t’i dhënë përgjigje”.

Drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj tha se brenda dy viteve ambicia është një sistem i qendërzuar për punën e administratës publike. Sipas saj nga 30 prilli, do të ndryshojë mënyra se si administrata i shërben qytetarëve dhe bizneseve.

Ndërsa drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Biznesit, Pranvera Fagu shpreh se duke nisur nga 30 prilli, do të jenë të mbyllura të gjithë sportelet e QKB dhe çdo gjë do të kryhet përmes shërbimeve online. Ajo u bëri apel bizneseve që të pajisen me nënshkrim elektronik për të përfituar shërbimet.