Çfarë është kanabisi medicinal që do legalizojë Rama? Këto dy shtete në Ballkan e kanë legalizuar

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria mund të bëhet vendi i tretë në rajon që legalizon marijuanën medicinale, pas Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.

Vendimi vjen pas anketës së kryer nga qeveria, ku 61% e qytetarëve janë shprehur në favor të legalizimit.

Por çfarë është marijuana medicinale, si përdoret dhe a do të shitet në Shqipëri?

Marijuana mjekësore është një term që vjen nga përdorimi i bimës cannabis sativa për lehtësimin e simptomave të shkaktuara nga disa sëmundje. Studimet kanë treguar se përdorimi i marijuanës mjekësore ka ndikuar pozitivisht te pacientët të prekur nga disa sëmundje.

Te pacientët me epilepsi, kanabisi mjekësor ka treguar efekte tepër pozitive në disa raste, duke ulur ndjeshëm numrin e krizave epileptike. Por edhe pacientët me sëmundje që shkaktojnë dhimbje të forta apo sëmundje të pashërueshme, shprehen se përdorimi i kanabisit i ndihmon t’i qetësojnë këto dhimbje.

Kryesisht përdorimi i kanabisit mjekësor ka gjetur përdorim për pacientët me alzheimer, HIV/AIDS, epilepsi dhe konvulsione, Glaukoma, skleroza e shumëfishtë dhe te pacientët me dhimbje të forta të kokës. Por kanabisi mjekësor nuk është plotësisht i sigurtë. Studimet thonë se duhet bërë edhe më shumë kërkime për të zbuluar se si ndikon te pacientët dhe çfarë efektesh anësore ka.

A do të shitet në Shqipëri?

Siç kanë deklaruar më herët politikanë të qeverisë shqiptare që e kanë mbështetur këtë nismë, kanabisi mjekësor do të prodhohet në vend, por do të eksportohet i gjithi jashtë. Kanabisi mjekësor nuk shitet në rrugë apo dyqan, por vetëm në farmaci dhe me rekomandim të mjekut.

Jo çdokush do të mund ta kultovojë bimën e kanabisit. Me gjasë, kompani të ndryshme do të aplikojnë për leje nga qeveria. Ekspertët thonë se kanabisi mjekësor do të sjellë përfitime të mëdha në ekonomi. Në tregun botëror aktualisht një litër vaj kanabisi mund të shitet deri në 95 mijë euro, ndërsa tregu shkon në plot 55 miliardë dollarë.

Shqipëria mund të bëhet vendi i tretë në rajon që e legalizon kanabisin mjekësor. Maqedonia e Veriut e ka legalizuar kanabisin mjekësor në 2016-ën, ndërsa Greqia në vitin 2018.