Tensionohet situata mes Kosovës dhe Serbisë, gazetari: Jemi një hap para konfliktit të armatosur

Gazetari Dukagjin Gorani ka deklaruar se sipas deklaratave të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se Kosova është një hap para konfliktit të armatosur me Serbisë.

Gorani në emisionin ‘Pressing’ në T7 tha se nëse deklaratat e tyre të sotme janë të vërteta, atëherë Kosova është një hap para konfliktit me Serbinë.

“Nëse është m’i nxon besë, Vuçiçi e ka seriozisht që marrëveshja e Brukselit ka marrë fund dhe që realisht sipas tij Kosova e ka në mend me godit Serbinë. Kjo është ka vjen kjo prej presidentit të Serbisë. Ndërsa, kryeministri i Kosovës thotë se janë 10 organizata ekstremiste serbe në Kosovë, nëse kjo është e vërtet, ish dasht me i marrë si të vërteta. Me qito dy të vërteta që janë thënë nga Vuciçi dhe Kurti, na jemi një hap para konfliktit të armatosur. Nëse këto janë të vërteta.

Ekziston opsioni i dytë që këto deklarata me i nxon të pavërteta, e që janë elektorale. Nëse është kjo e dyta, atëherë këta dy njerëz, secilin në rajonin e tij, janë t;u dasht me bind elektoratin edhe popullatën që mos me i marr seriozisht”, tha Gorani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka folur për situatën e sigurisë në vend, pas tensioneve të ngritura si pasojë e shpërthimit të luftës në Ukrainë. Kurti, ka thënë se qeveria po përgatitet që të mos befasohet nga ndonjë mësymje e mundshme ndaj Kosovës.

Ai ka thënë se janë identifikuar 10 organizata ekstremiste të djathta serbe që përpiqen ta destabilizojnë situatën e sigurisë në Kosovë. Sipas Kurtit, AKI i ka dërguar informacionet e gjetura në Prokurorinë e Shtetit.

Ndërsa, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, ka folur për Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pas vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), për suspendimin e Liljana Stevanoviq, kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, deri në një vendim të radhës. Në stilin e tij të njohur hiperbolizues e dramatizues, Vuçiç është shfaqur në rrjete sociale, duke thënë se me shkarkimin e gjykatëses serbe, Kurti ka sulmuar Serbinë.