Mjekët thirrje qytetarëve: Bëni vaksinën, të shpëton jetën

Nëse keni rrufe dhe shenja te ngjashme me virozat e stinës, mos neglizhoni. Bëni tamponin për Covid dhe çdo rast pozitiv duhet të izolohet.

Delta është shumë ngjitës dhe sipas mjekëve po përhapet me shpejtësi. Kreu i Urgjencës Kombëtare deklaron se numri i të infektuarve është shumë më i lartë se shifrat zyrtare.

Skënder Brataj thotë se janë rritur vizitat në banesë dhe urgjencat drejt spitaleve Covid.

Ashtu si ekspertët në vend edhe mjekët shqiptarë në Europë bëjnë thirrje për rritjen e vaksinimeve në popullatë. Këta të fundit mbështesin nismën e shumë vendeve europiane për vaksinimin edhe të fëmijëve mbi 12 vjeç.

Edhe Akademia e Shkencave përmes një studimi për imunitetin e popullsisë ndaj Covid-19 rekomandoi vaksinimin e fëmijëve mbi 12 vjeç për të ulur infektimet gjatë vitit shkollor.

Ende nuk ka një vendim për vaksinimin e fëmijëve nga autoritetet shëndetësore, ndërkohë që në terren po shtohen të rinjtë refuzues ndaj dozave anti-Covid.