Zbulohet një rrugë romake nën lagunën e Venecias

Mbetjet e një rruge antike romake janë zbuluar të zhytura nën lagunën e Venecias, në kanalin Treporti.

Prania e tyre, që u identifikua falë hartës së shtratit të detit me një sonar me rezolucion të lartë, konfirmon se shekuj para themelimit të qytetit të Venecias kishte tashmë vendbanime të qëndrueshme, me një sistem rrugësh të përshkuar nga udhëtarët dhe marinarët që lëviznin midis qytetit aktual të Chioggias dhe qytetit antik të Altinos, në pjesën veriore të lagunës.

“Ne bëmë hartëzimin me sonar sepse donim të studionim morfologjinë e kanaleve në 3D, përndryshe e vështirë për t’u hetuar për shkak të turbullirës së ujit”, theksoi autorja e studimit, Fantina Madricardo.

“Duke shqyrtuar të dhënat e mbledhura, vumë re praninë e 12 strukturave antropogjene, të vendosura për më shumë se një kilometër në drejtimin veri-lindje me rreth katër metra thellësi”, shtoi ajo.

Njëra nga këto struktura tashmë ishte bërë objekt i hetimit nga Ernesto Canal (pionier i kërkimit arkeologjik në lagunë) në 1985.

”Duke krahasuar materialet e gjetura në vitet ’80 dhe studimet e bëra, ne arritëm në përfundimin se kishim të bënim me grumbullime gurësh të asfaltuar që shtruan një rrugë romake të vendosur përgjatë bregdetit me rërë, sot e zhytur nga deti”, shtoi studiuesja.