Zyrtare: Nga 6 gushti, Italia kërkon me detyrim pasaportën e Covid-19 për hyrjen në vende publike

Pas Francës, edhe qeveria italiane ka vendosur kufizime për njerëzit e pavaksinuar, ndërsa rastet me Covid-19 kanë ardhur gjithnjë e më shumë në rritje.

Nga data 6 gusht, të gjithë qytetarët mbi 12 vjeç mund të hyjnë në restorante, kinema, teatër, pishina, palestra, por edhe në panaire, festivale, konferenca, parqe dëfrimi, salla lojërash, pjesëmarrje në gara vetëm duke paraqitur “kartën e gjelbër” që tregon se janë vaksinuar.

Në restorante do të jetë e nevojshme të paraqitet “karta e gjelbër” si për klientët ashtu edhe për punëtorët.

Kjo është ajo që parashikon dekreti i miratuar nga Këshilli i Ministrave këtë të enjte dhe i shpallur nga kryeministri Mario Draghi.

Ndërkohë, për personat e vaksinuar plotësisht, “leja e gjelbër” do të jetë e vlefshme 14 ditë pas dozës së dytë dhe ka afat për 9 muaj. I vlefshëm do të jetë edhe një test negativ i Covid-19 i kryer në 48 orët e fundit, apo për ata që e kanë kaluar virusin.

Të enjten, Italia regjistroi plot 5,057 raste të reja koronavirus, kryesisht të nxitura nga varianti Delta, krahasuar me 4,259 një ditë më parë. Kishte 15 vdekje të tjera të lidhura me Covid-19, duke e çuar totalin në 127.920 – numrin më të lartë të vdekjeve në Evropë pas Mbretërisë së Bashkuar.