Banka e Shqipërisë prezanton kartëmonedhën e re 10 mijë lekëshe, ja kur del në treg

Banka e Shqipërisë prezantoi sot kartëmonedhën e re të prerjes 10 mijë lekë, që do të marrë zyrtarisht kurs ligjor duke filluar nga data 30 qershor.

Kjo është prerja më e madhe e parasë e përdorur ndonjëherë për monedhën shqiptare. Kartëmonedha 10 mijë lekëshe do të ketë të stampuar në të portretin e poetit dhe autorit të vargjeve të Himnit Kombëtar, Aleksandër Stavre Drenova (Asdreni). Po më 30 qershor, do të hidhen në qarkullim edhe kartëmonedhat e serisë së re të prerjes 1 mijë lekëshe.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha në ceremoninë e prezantimit të kartëmonedhave të reja se prerja e re 10 mijë lekëshe është nevojë e lidhur me zhvillimin ekonomik të vendit dhe plotëson kërkesat e tregut për të pasur një prerje të tillë.

“Ekzistenca e kësaj prerje më të lartë rrit efikasitetin e në punën tonë për të administruar stokun e parasë dhe për të përballuar raste të rritjes së paparashikuar të kërkesës së tregut për para. Duke parë cilësinë e këtyre kartëmonedhave, mund të themi me besim të plotë se puna e bërë për realizimin e tyre ka qenë mjaft e vlefshme. Në emër të Bankës së Shqipërisë, falënderoj ata që kanë ndihmuar për realizimin e këtyre kartëmonedhave. Dëshiroj të vlerësoj edhe kontributin e shumë akademikëve, historianëve, albanologëve, historianeve dhe ekspertëve të kompanive të njohura në botë në fushën e prodhimit të kartëmonedhave”, tha Sejko.

Vitin e kaluar Banka e Shqipërisë nisi përmirësimin e serive të kartëmonedhave, me hedhjen në qarkullim të prerjeve të reja të kartëmonedhave me vlerë nominale 200 lekëshe dhe 500 lekëshe. Sipas bankës së Shqipërisë, ky process ka nisur me qëllim forcimin e elementeve të sigurisë dhe dizajnit, praktikë e zakonshme për bankat qendrore, që përgjithësisht zbatohet çdo 15 deri në 20 vjet. Të gjitha prerjet e serisë aktuale të kartëmonedhave dhe monedhave shqiptare, përveç asaj 2000 Lekë janë miratuar në vitin 1995 dhe janë hedhur në qarkullim në vitin 1996. Ndërkohë, në vitin 2008, serisë iu shtua kartëmonedha 2000 Lekë.

Banka e Shqipërisë argumenton se në këto 20 vite kanë ndodhur ndryshime të vazhdueshme në teknologji, si për sa i përket elementeve të sigurisë që mund të dallohen nga publiku i gjerë pa përdorimin e makinerive të posaçme, ashtu edhe për sa i përket atyre që njihen nga makineritë e përpunimit dhe numërimit të kartëmonedhave.

Në fund të vitit të kaluar, Shqipëria kishte në qarkullim gjithsej 156 milionë kartëmonedha lekë, për një vlerë totale afërsisht 350 miliardë lekë. Në krahasim me vitin 2019, numri i kartëmonedhave në qarkullim është rritur me rreth 10.3%, ndërsa vlera e kartëmonedhave është rritur me pothuajse 15%. Struktura e parasë në qarkullim kryesohet nga kartëmonedhat me vlerë nominale 5000 Lekë dhe 2000 Lekë, që përbëjnë secila rreth 26% të totalit, të ndjekura nga prerja 1000 Lekë, me rreth 24% të numrit të përgjithshëm të tyre.