Pas 25 vitesh në ekran, Ilva Tare e emocionuar i “jep fund” me televizionin

Gazetarja e njohur Ilva Tare ka njoftuar se pas 25 vitesh në ekran, do të tërhiqet nga puna në television, për t’iu përkushtuar më shumë familjes së saj, bashkëshortit dhe dy fëmijëve.

Në emisionin e fundit të “Ilva Now” në Euronews Albania, ajo ka falenderuar të gjithë bashkëpunëtorët, teksa thotë se atë do ta shohim sërish me emisione dhe segmente speciale herë pas here.

Postimi i Ilva Tares:

Në këto 25 vite kam pasur privilegjin që ekranin ta quaja shtëpinë time.

Ju keni qenë aleati im në përballjet e vështira me realitetin dhe mentalitetin. Publiku ka qenë edhe kritiku dhe vlerësuesi im më i mirë. Veçanërisht, vajza të reja që sot janë nëna që kanë dashur të japin lajme dhe të kishin zërin dhe forcën time në publik. Edhe nëna e baballarë që projektonin tek unë dëshirën për të qenë përcjellësja e zërit të tyre. I falenderoj për çdo inkurajim që më ka motivuar përballë pengesave dhe nuk kanë qenë të pakta.

E kam zemrën plot me mirënjohje edhe për të gjithë bashkëudhëtarët, me të cilët kemi punuar për të bërë me të mirën për një gazetari cilësore.

Kam punuar dhe mësuar shumë në këto vite të mbushura me ngjarje historike, por mbi të gjitha jam përpjekur të jem në anën e drejtë të zhvillimeve dhe të së vërtetës që unë kam ditur.

Jam rritur shumë në këto tri dekada dhe e kam parë këtë vend te rritet shumë. Largohem me shpresë për vendin tone.

Kemi kaluar shumë së bashku unë dhe ju… dhe tani është momenti që unë ta mbyll këtë kapitull, për t’i dhënë më shumë kohë familjes sime, Eduardit, Melodisë e Thomasit. Është koha të nis një kapitull të ri, në një stacion tjetër të jetës sime.

Iki e emocionuar, me urimet më të mira për të gjithë ju, ashtu siç ju më keni bekuar me urimet tuaja në këto vite sfidues, por edhe përmbushës. Më e mira është përpara nesh.

Do të mund të më shihni sërish me emisione dhe segmente speciale herë pas here. Ilva Noë dhe ky kapitull suksesi me Euronews Albania mbyllet, por kjo s’është hera e fundit që shihemi bashkë. Faleminderit me zemër!