Manastirliu: Do të ketë lehtësim të masave

Përmirësimi i shifrave të Covid-19 në vendin tonë i ka bërë ekspertët të besojnë se fundi i kësaj pandemie mund të jetë i afërt.

Nga foltorja e parlamentit, Ministria e Shëndetësisë, Ogerta Manastriliu tha se lehtësimi i masave do të jetë në bazë të ecurisë së pandemisë.

“Ekspertët tanë të Komitetit Teknik janë duke vlerësuar në mënyrë dinamike masat, por gjithçka do të varet nga ecuria e epidemisë.

Çlirimi gradual i jetës social-ekonomike duhet medoemos të shoqërohet nga masat e distancimit fizik, vendosjen e maskës dhe mbajtjen e higjienës, në mënyrë që të mos bëjmë hapa mbrapa dhe të vijojmë të vendosur përpara në këtë kilometër të fundit drejt kthimit në normalitetin aq shumë të dëshiruar”.

Manastirliu apeloi që grupet e riskut të bëjnë vaksinën, ndërsa ritheksoi objektivin e ri për 1 milion vaksinime.

“Kemi mbërritur në objektivin tonë të parë prej 500 mijë vaksinimesh të kryera në ditët e para të majit dhe jemi të vendosur të ecim me shpejtësi drejt objektivit të ri, për kryerjen e 1 milion vaksinimeve. Sot janë rreth 100 mijë qytetarë që i kanë kryer të dy dozat e vaksinës, duke siguruar një mbrojtje më të mirë nga virusi i rrezikshëm”.

Vaksinimi masiv ka vijuar me kalendar të kombinuar në të gjithë vendin për personat mbi 60 vjeç dhe punonjës të shërbimeve kritike. Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 518,679 doza të vaksinës ndaj Covid-19.