Nis zbrazja e ujit tek Liqeni Artificial në Tiranë, zbulohet çfarë po ndodh

Me qëllim përmirësimin e performancës së digës së Liqenit Artificial dhe funksionimin normal, si dhe shtimin e kushteve të sigurisë së saj, Ndërmarrja Ujësjellës-Kanalizime Tiranë njoftoi sot se ka nisur procesin për rikonstruksionin e portës së digës së Liqenit Artificial.

Procesi fillestar i rikonstruksionit të portës së digës kërkon një zbrazje të kontrolluar të liqenit. Sipas UKT, ky proces ka nisur këtë fundjavë dhe do të vijojë edhe në ditët në vazhdim.

UKT ka siguruar qytetarët, të cilët mund të jenë shqetësuar për uljen e nivelit të liqenit, që është vënë re dy ditët e fundit, se arsyeja lidhet vetëm me ndërhyrjen për rikonstruksionin e portës së Digës së Liqenit. “Me përfundimin e rikonstruksionit dhe riparimeve të nevojshme, niveli i ujit në liqen do të rikthehet në parametrat normalë”, njofton UKT.

Rikonstruksioni do të përfshijë edhe riparimin dhe zëvendësimin e portave fundore të shkarkimit dhe vendosjen e pajisjeve elektro-mekanike për ngritjen dhe uljen e portave. Po ashtu, edhe riparimin apo zëvendësimin e pllakave të betonit në skarpatën e sipërme të digës.