Basha: Nëse një zyrtar shqiptar ka hedhur një firmë që në gjykatë konsiderohet e padrejtë, do i konfiskohet pasuria

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është shprehur se me ardhjen e tij në pushtet, në qoftë se një zyrtar shqiptar ka hedhur një firmë që në gjykatë konsiderohet e padrejtë, atij do i konfiskohet pasuria.

Ilir Babaramo: Cilët janë parimet e këtij ligji?
Lulzim Basha: Është parimi ndiq paranë i cili e bën të pamundur që të mos kuptosh se ku kanë shkuar paratë? Si është zhvilluar gara?

A ka pasur garë? Nëse ka kompani të regjistruara ofshore, nëse e shikon që procesi është fiktiv, nëse e shikon që çmimi është shumëfish apo shumë larg tregut rajonal, në disa raste edhe më lart se tregu Europian, e kupton që ke të bësh me një kontratë korruptive e cila i nënshtrohet pastaj një procesi, në radhë të parë administrativ, që është vullneti i qeverisë dhe pastaj një procesi gjyqësor. Por, dua të theksoj se kjo nuk ka të bëjë asgjë me çështjen “Beketi”.

Çështja “Beketi”, është çështja ku kryeministri, kryetari i Bashkisë dhe sekretari i përgjithshëm që sot duhet të ishin të tre të pandehur, të marrë të pandehur, mbyllën një media për shkak të qëndrimeve kritike ndaj qeverisë. Kjo është e dokumentuar. Arbitrazhi e ka të dokumentuar qartë përmes komunikimit të pronarit të media nga njëra anë dhe këtyre tre personazheve nga ana tjetër që këtu kemi të bëjmë me vepër penale nga këta tre zyrtarë.

Angazhimi im është jo vetëm për këtë por, për çdo dëm që i shkaktohet potencialisht taksave të shqiptarëve, buxhetit të shtetit. Nuk do të jetë familja varfër e Elbasanit apo e Gjirokastrës apo e Shkodrës apo e Tiranës apo e Durrësit apo e Korçës apo kudo tjetër në Shqipëri që do të ndajë prapë para nga xhepi për të paguar gjobën, por do të jetë konfiskimi i pasurive të hapura dhe të fshehura të pushtetarëve, që do të shkojë për të paguar gjoba që kanë ardhur si rezultat i veprave penale që ata kanë kryer. Ka një praktikë ligjore që e kanë zhvilluar vende që kanë pasur drama të ngjashme si ky i yni.

Ka një praktikë në zbatimin e ligjeve të tilla, sigurisht, me ndihmën e agjencive të specializuara si Europol-i, Interpoli por edhe agjencive të partnerëve strategjikë, me të cilët prej më shumë se dy vitesh unë dhe ekipi im jemi në kontakt edhe për të hartuar ligjin dhe për të mundësuar që këto gjoba të padrejta ndaj shqiptarëve ti paguajnë ata që kanë kryer veprën penale për interesat e tyre dhe për pasurimin e tyre dhe për pushtetin e tyre.

Ilir Babaramo: Pra, në qoftë se një zyrtar shqiptar ka hedhur një firmë që në gjykatë konsiderohet e padrejtë, atij i konfiskohet pasuria? Që ta kuptoj saktë këtë parim.

Lulzim Basha: Parimi është në thelb që zyrtarët do të mbajnë përgjegjësi edhe në pasurinë e tyre për vendimet e paligjshme të cilat i kushtojnë buxhetit të shtetit. Po ky është parimi.