Trashësia e dëborës arrin mbi 80 centimetër, pothuajse të gjitha akset e bllokuara në Dibër

Reshje të dendura dëbore kanë “pushtuar” Dibrën gjatë orëve të pasdites, ku si pasojë pothuajse në të gjitha akset rrugore ka probleme me qarkullimin.

Në qytet trashësia e dëborës ka arritur nga 35 deri në 50 cm, ndërkohë që në zonat e thella trashësia arrin deri në 80 cm.

Aksi Peshkopi – Kala e Dodës – Kukës është bllokuar për disa orë, edhe pse borëpastrueset kanë ndërhyrë herë pas here për pastrimin e rrugës.

Ndërkohë edhe rrethi i Bulqizës është bllokuar nga reshjet e dëborës. Disa fshatra kanë mbetur edhe pa energji elektrike, duke e bërë më të vështirë për banorët përballimin e temperaturave të ulëta.