Përputhen, emisioni që u shthur brenda ditës si trikoja e Penelopës

Nga Zhaklin LEKATARI

Dihet që pas humbjes se komisarit Katanit dhe asaj të Sadnës, ngjarja më e rëndë për shqiptarët është tradhtia që Tea i bëri Andit.

Për ata që nuk e dinë, Tea dhe Andi janë dy protagonistë të një reality show, në të cilin të rinjtë takohen dhe zgjedhin njëri-tjetrin me qëllimin kryesor: gjetjen e dashurisë.

Emisioni ”Përputhen”, kështu quhet reality për të cilin po flasim- shumë shpejt u kthye në fenomen. Mijëra klikime, puthje dhe takime për të kapur dy milion pëlqime nga bota online.

Drama, tradhti, skandale, ndjekës në Instagram dhe biznese që bënin rradhë për të reklamuar shërbimet e tyre.

Mos harrojmë Giveaweay dhe personazhet e reja që për një ditë e gjetën veten të famshëm pa pasur ndonjë talent dhe pa bërë asgjë me vlerë publike.

Apogjeu i famës nuk zgjati shumë, sepse ajo (fama) vjen edhe me përgjegjësi e aspekte negative, si humbja e privatësisë dhe analiza e hollësishme e çdo veprimi nga të gjithë ndjekësit.

Kështu ndodhi dhe me Hirushen, Tean, që hyri si rosak pak mbi peshë dhe doli si një mjelmë që shpërndante llokume, e perputhur me Andin, një nga djemtë me të lakmuar të programit.

Krijimi i çiftit të parë nuk ka qenë një punë e lehtë, një skenar me shumë të papritura, që nga ngacmimet e njëpasnjëshme të një ish-konkurrenteje ( Shqipes) që kishte pasur një romancë me princin e vetëshpallur aktor, për të vazhduar me thashethemet e princit dhe lidhja e tij me një tjetër konkurrente (Melisa) që është ende në program, për ta mbyllur me fotot e tradhtisë së nuses (Teas) me Beartin, djalin nga Kosova që gjithashtu nuk është më pjesë e programit.

Eh! E di që është si një telenovelë, por me pak fjalë, situata mund të përshkruhet me një thënie të njohur nga populli “Të tjerë na duan, të tjerë duam dhe me të tjerë përfundojmë”.

Morali i fabulës nuk është ky, por analiza që mund t’i bëjmë shoqërisë tonë, e cila nuk ngurron të ngrejë në piedistal personazhe pa asnjë kontribut, që brenda natës kthehen në personal shopper, një shoqëri e homogjenizuar që lartëson antivlerat dhe që ngren kulte individi në vend që të fokusohet te vetja dhe te realizimi i projekteve të prekshme dhe emancipuese.

Sigurisht që përgjegjësi kanë dhe organizatorët me zgjedhjen dhe strukturimin e mesazheve, por dhe me vetëbesimin anadollak që trikoja mund të thuret ditën dhe të shthuret natën pa e vënë re askush. Sepse media, ka një përgjegjësi, një etikë dhe një plan edukues, por këto janë të gjitha vlera që ne kemi humbur prej kohësh.