I mori 8 mln lekë vajzës së pacientes te “Shefqet Ndroqi”, Ministria e Shëndetësisë: Sanitarja të shkarkohet dhe të merren masa

Sot emisioni investigativ “Stop” publikoi denocnimin me zë dhe figurë të vajzës së një prej pacienteve që ndërroi jetë te spitali “Shefqet Ndroqi”.

Vajza e pacientes tha se për 1 muaj sanitarja që u hoq si infermiere i mori mbi 8 milionë lekë dhe ia shpërndante mjekëve dhe infermirëve të tjerë.

Ndërkohë ka reaguar menjëherë dhe Ministria e Shëndetësisë e cila urdhëron që të shkarkohet menjëherë sanitarja Tire Dervishi dhe autoritetet të marrin masat e duhura.

Reagimi i plotë

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dënon me forcë veprimin e paligjshëm dhe korruptiv, të sanitares me inicialet T.A., tē spitalit “Shefqet Ndroqi”, i bërë publik sot në emisionin investigativ “STOP”. Ministria e Shëndetësisë i ka kërkuar drejtorisë së spitalit “Shefqet Ndroqi” shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të sanitares me inicialet T.A. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u kërkon autoriteteve kompetente, të kryejnë sa më parë hetimin e këtij rasti, për t’i shkuar deri në fund.

Akti i izoluar i një punonjëseje të papërgjegjshme, nuk mundet kurrësesi të njollosë punën e jashtëzakonshme dhe sakrificën e mijëra mjekëve dhe infermierëve në të gjithë Shqipërinë, në këtë kohë të vështirë të pandemisë. MSHMS falënderon emisionin investigativ “STOP” për denoncimin e rastit në fjalë dhe siguron qytetarët se nuk do të tolerojë asnjë rast abuzimi me të drejtën e tyre për të marrë shërbimin shëndetësor që u takon.