“Korça nuk është “dy lekshi” as “dritkat” e dhjetorit !”

Nga: Soela Myrtollari

Kryetarja e FRPD Korçë, Soela Myrtollari në një postim të bërë në rrjetin social facebook shprehet:
E kupton “mjerimin” e korçarëve dhe erresirën ku qëndrojnë në momentin kur një karusel i vendosur në qëndër të Korçës,bëhet “bujë”! Më pëlqen dhe mua e bukura! Por me shumë më pelqen e vërteta!

Kam parë këto ditë ( që ditën që u vendos karuseli), me dhjetra miq në fb, të shkruajnë fjalët më të zjarta për Korçën, krahasimin e saj me Londrën, bukurinë e saj, zonjallëkun e saj! A thua se Korça është vetëm një shesh 50-50metra. A thua se zonjallëkun e Korçës e caktuan dritat e karuselit 2ditor. Me keqardhje, si çupë Korçe, po them dy fjalë.

Korça është më shumë se aq miq. Por fatkeqësisht, aq duket, se pjesa tjeter është në erresirë. E ç’të tregojnë në fund të fundit? Rrugicat me kalldrëmet e prishura(qe u restauruan para disa vitesh me një super fond) por që tani duken si mos më keq? Lagjet periferike të harruara nga sy-vrarët, plot grumbuj plehrash e investime fasadë? Minorenët e pedonales që kërkojnë lëmoshë nga mëngjesi në mbrëmje? Familjet që nuk arijnë të kalojnë muajin pa u përplasur tek fajdexhinjtë(sepse ju mungon puna dhe ndihma nga shteti)? etj etj

Aq duket miq! Aq duan të tregojnë! Një karusel(që justifikon ndihmat financiare te munguara karshi qytetarëve korçarë), një pazar(që kushtoi “një djall e gjysëm”), një qytezë fëmijesh(që është ne funksion të fëmijëve të shërbëtorëve të rilindjes) dhe kullën e famshme të turpit, kullën e miliona eurove.

Më vjen keq miq! Por kjo nuk është Korça! Korça është edhe përtej ketyre dritkave 35milionshe, përtej asaj pedonaleje dhe përtej atij sheshi. Korça është dhe tek ato familje që ngrohen me tym, se zjarr nuk kanë. Korça është dhe tek ata korçarë që nuk ngopen me bukë, e nuk kanë ç’të veshin për tu ngrohur! Korça është Korçë miq, nuk është Londër! Është qyteti im, qyteti i dijes, qyteti i zonjave dhe zotrinjve qe lanë emer jo nga fasadat, por nga zemër gjerësia dhe llogjika. Nga lufta që bënin ndaj kujtdo që e shiste dheun mëmë për dy lek.

Korça nuk është “dy lekshi” as “dritkat” e dhjetorit!
Festa të mbara, Korça ime! – ka përfunduar ajo.