Gjermania i dhuron 200 palë këpucë RENEA-s, reagon ashpër gazetari: Një fije turpi a nuk keni
Gazetari Mentor Kikia ka reaguar ashpër pas dhurimit të 200 këpucëve nga policia gjermane për RENEA-n.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kikia shkruan se kur u pranuam në NATO, ushtarët merrnin atletet e tyre me vete pasi nuk kishim dhe tani që duam të hyjmë në BE na i dhurojnë.
Sipas tij ndihma nuk ka asgjë të keqe, por për një repart policie duheshin dhuruar paisje teknike e teknologjike e jo këpucë.
Postimi i plotë:
Po një fije turpi a nuk keni?
Kur ne u pranuam në NATO, ushtarët tanë shkonin në repart dhe merrnin atlete me vete nga shtëpia, pasi nuk kishin këpucë.
Kur ne duam të hyjnë në BE, serish “opingat” na i sjellin ndihmë.
Në fakt të pranosh ndihma nuk ka gjë të keqe. Por një repart policie, mund të pranojnë ndihmë asistencën e specialistëve që nuk e kemi dot, apo paisje teknike e teknologjike, apo armatime, që sërish nuk i kemi e nuk i prodhojmë dot.
Por jo këpucë.
Jo dreqin, se është dhe e turpshme.
Këpucë na sillnin edhe qëmoti, kur luftonim kundër gjermanëve, na i hidhnin anglezët me parashutë. Këpucë na sjellin edhe gjermanët sot, kur s’luftojmë me askënd.
A jemi vërtet kaq të mbaruar e të grisur, sa as këpucë për ushtarët e policët nuk blejmë, apo nuk bëjmë dot?