E larguan nga nëna tre muajsh, momenti kur e takon pas 45 vitesh

Pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty” tek E Diela Shqiptare ka qenë Lindita nga Durrësi e cila i ka bërë një surprizë bashkëshortit të saj të birësuar.

Para disa vitesh ai humbi prindërit birësues dhe për këtë arsye Lindita ka marrë guximin të kërkojë prindërit e tij biologjikë. Ajo e ka thirrur burrin e saj Fatmirin në emision dhe Arditi i tregon se ai ka arritur të gjejë motrat e tij biologjike nga ana e babait të tij.

Njëra nga motrat e tij jetonte në Volos të Greqisë, Erolda ka pranuar të flasë përmes një lidhje Skype dhe të rrëfejë historinë që ajo di në lidhje me të vëllain.

Lindita: Unë jam Lindita, ka 25 vite që jetoj në Durrës, kam një bashkëshort të mrekullueshëm dhe kam 4 fëmijë, 3 vajza dhe 1 djalë. Kam kohë që e di se bashkëshorti im është i birësuar. Kur u martova babai im ishte shok me vjehrrin tim, më pas kur shkova tek njerëzit e mi, vjehrri më tha që mua më pëlqen të të marr për djalin sepse kam një djalë të mrekullueshëm. Më kishte treguar që e kishte birësuar dhe nuk e kishte fëmijën biologjik. Këtë bisedë me Fatmirin e kemi bërë edhe kur kemi qenë të fejuar dhe të martuar, por ai nuk e ndjente që t’i kërkonte sepse kishte dy prindër që kujdeseshin shumë mirë për të. Ka nja 5-6 vite që vjehrri dhe vjehrra kanë vdekur dhe më lindi idea pse im shoq të mos i dijë rrënjët nga i ka.

Ardit Gjebrea: Çfarë di ai për familjen biologjike?

Lindita: Me thënë të drejtën nuk dimë shumë, mesa më thoshte vjehrri që ka patur një nënë shumë të mirë, por rrethanat e jetës… Di vetëm që janë nga Elbasani.

Ardit Gjebrea: Ne pas pak do kemi një lidhje telefonike me një nga motrat e Fatmirit që ai nuk e di që i ka.  Ai nuk e di fare se çfarë ka ndodhur me familjen e tij, por historia e tij është e jashtëzakonshme.

Ardit Gjebrea: Fatmir kur e ke marrë vesh që ke qenë i birësuar?

Fatmiri: Kur isha 14-15 vjeç.

Ardit Gjebrea: Si e prite?

Fatmiri: Jo me siklet shumë të madh se nuk isha moshë e madhe.

Ardit Gjebrea: Ke dashur të mësosh ndonjë gjë rreth familjes tënde?

Fatmiri: Po, por nuk kanë qenë mundësitë.

Ardit Gjebrea: Çfarë ke dashur të dish?

Fatmiri: Kush janë.

Ardit Gjeberea: Sa vjeç je sot?

Fatmiri: 45 vjeç.

Ardit Gjebrea: Ajo që unë do të të them është se ti ke 3 motra, njëra jeton në Londër, tjetra në Selanik dhe njëra në Volos dhe në pamundësi për të ardhur për shkak të kushteve të pandemisë, ne do të lidhemi me Skype me motrën tënde që ndodhet në Volos. Ti nuk do e dëgjosh motrën, vetëm do e dëgjosh, ajo nuk e di që ti je këtu. Ajo do të tregojë historinë e saj se si ka ndodhur. As ajo nuk do të të shohë ty, as unë nuk do e shoh atë, të vetmit që do e shohin këtë situatë janë telespektatorët dhe në fund do i tregojmë asaj që ti je në studio. Motra jote quhet Ernolda.

Arditi flet në Skype me Ernoldën

Ardit Gjebrea: Ernolda më trego më shumë për veten tënde.

Ernolda: Jam lindur në Bilisht të Korçës, jam rritur me prindërit e mamit, prindërit e babit nuk i kam njohur fare, nuk kanë qenë në jetë kur kam lindur unë. Pas 4 viteve ka ardhur në jetë motra e dytë Naida e cilia gjithashtu u lind dhe u rrit në Bilisht. Për neve gjyshja ka qenë një nënë e dytë dhe kujdeseje shumë për ne të dyja.

Ardit Gjebrea: Pse kujdesej nëna, ku ishin prindërit?

Ernolda: Për arsye se prindërit ishin në Elbasan, babi ishte në metalugjinë e Elbasanit dhe mami në mirëmbajtje rruge, nuk kishim ende shtëpi. Pas 4 vitëve erdhi në jetë motra e tretë Majlinda dhe si familje u bashkuam kur unë isha në moshën 7 vjeç.

Ardit Gjebrea: Si quhej babai juaj?

Ernolda: Reshit Shahini dhe për fat të keq nuk jeton më, ka dy vite që është ndarë nga jeta.

Ardit Gjebrea: Çfarë natyre kishte babai jot?

Ernolda: Kur ishim tek nëna, mami vinte më shpesh për të na parë dhe lidhja që kishim me të ishte shumë më e afërt, më e dashur, ndërsa babi ato pak radhë që vinte të na takonte për shkak të punës ishte një natyre e mbyllur, nuk na afronte. Sado që ishte në largësi lidhja jonë me të dy prindërit, e babit ishte më e largët nga natyra e tij, nuk ishte i dashur me neve. 

Sot në rubrikën “Ka një mesazh për ty” tek E Diela Shqiptare ka qenë Lindita e cila i ka bërë një surprizë burrit të saj i cili ka qenë i birësuar. Ajo e ka ftuar në studio dhe me ndihmën e emisionit, i ka gjetur motrat nga babai. Njera prej tyre që jeton në Volo të Greqisë ka folur me Skype në emision dhe ka treguar historinë e dhimbshme që ajo e kishte mësuar vetëm në vititn 2018 që kishte një vëlla tjetër.

Ardit Gjebrea: Në cilin moment ti more vesh që babai kishte dhe një fëmijë tjetër dhe më trego për ndjesitë që pate.

Ernolda: Në Prill të vitit 2018 unë mora vesh që babi është sëmurë dhe gjendja e tij po përkeqësohej. Nga Gushti kur erdha në Shqipëri për ta parë, një kushëri nga ana e babit më tha që do e marrë me vete në Plagaricë që të shohë njerëzit e tij dhe ka një merak tjetër. E pyeta çfarë meraku ka dhe aty më tregoi që ka patur një martesë nga e cila kishte dhe një fëmijë. Pastaj në 1 Shtator të viti 2018 babi u nda nga jeta dhe kështu nuk e pyeta dot. Nuk e bëra dot një bisedë me të sepse respektova gjendjen e rëndë që ishte në ato momente, respektova që gjithë ato vite nuk kishte guximin, ndoshta nuk kishte dëshirën për të na i treguar dhe vënë në dijeni për djalin e tij. E njëjta gjë dhe për mamin, nuk e pyeta sepse nuk e dija si do reagonte për këtë temë.

Ardit Gjebrea: Pra ti e ke vëlla vetëm nga babai, jo nga mamaja.

Ernolda: Po vetëm nga babai.

Ardit Gjebrea: Kur e rimorët përsëri këtë temë në familjen tuaj?

Ernolda: Pasi kaloi një vit nga humbja e babit dhe mamit i duhej të bënte disa veprime bankare dhe banka na drejtoi në një notere. Na veprimet e mësipërme, aty ne mësuam që në mënyrë ligjore që ekziston një vëlla dhe që është pjesëtar i familjes.

Ardit Gjebrea: Pra babai e kishte futur vëllain në trungun familjar?

Ernolda: Të them të vërtetën nuk kam shumë të dhëna për këtë temë. Ai ishte një fëmijë nga një martesë, apo jashtë martese, nuk di diçka.

Ardit Gjebrea: Por fakti që ekzistonte ky djalë, do të thotë që babai nuk e kishte fshehur ligjërisht.

Ernolda: Besoj se po dhe noterja na drejtoi në gjendjen civile në Elbasan për të marrë një çertifikatë. Aty na drejtuan në Tiranë dhe na e dhanë një çertifikate ku emri ishte Fatmir Shahini, babai Reshit dhe nëna Hava, datëlindja është 15 Qershor 1975.

Ardit Gjebrea: Ju e kërkuat këtë vëlla?

Ernolda: Pasi e morëm vesh, po bëra përpjekje për ta kërkuar, por ishte e pamundur. Nuk na jepnin asnjë të dhënë si në Elbasan dhe në Tiranë na thoshin që nuk dimë gjë. U mundova të mësoja më shumë nga kushërinjtë e babit, por një diçka të re që mësova ishte që e kishin lënë që të vogël në shtëpinë e fëmijës. Nuk i di arsyet pse ka ndodhur.

Ardit Gjebrea: Si u ndjetë ju si motra kur e morët vesh që keni një vëlla?

Ernolda: U gëzova jashtë mase, babi ishte një natyrë e ftohtë, nuk fliste, nuk kishte shumë lidhje me neve. Sidomos në moshën e adoleshencës më mungonte kjo lidhje me babain dhe në këtë moshë ëndërroja të kisha një vëlla që më ka munguar gjithë këto vite. Që e vogël dëshiroja të kisha një vëlla. Nuk e imagjinoj dot gëzimin që kam.

Ardit Gjebrea së bashku me Fatmirin dhe bashkëshorten shkuan në Baldushk ku ndodhej nëna e tij e moshuar dhe i bënë surprizën e bukur. Nëna ka rrëfyer se djalin ia kishte marrë bashkëshorti i parë kur ishte vetëm 3 muajsh sepse kunati i vrau babain. Pas kësaj ngjarje ia morën djalin dhe e çuan në shtëpinë e fëmijës. Pavarësisht përpjekjeve të saj ajo nuk arriti ta gjente Fatmirin deri ditën e sotme, pas 45 vitesh.

Ardit Gjebrea: Më trego pak për jetën tënde, sa fëmijë ke ti?

Hava: Kam 5 fëmijë.

Ardit Gjebrea: Si ka qenë jeta jote?

Hava: Jeta ime ka qenë e vështirë.

Ardit Gjebrea: Pse?

Hava: Sepse ndodhi një vrasje. Vrau kunati babain tim. Kam patur një çun tre muajsh aty që ndodhi kjo vrasja dhe erdhën ma morën tek mami. Kam bërë kërkesë disa herë në Elbasan dhe nuk më kanë treguar asgjë.

Ardit GjebreaSi ia kishe vënë emrin?

Hava: Fatmir.

Ardit Gjebrea: Po ti ia ke vënë dhe një djali tjetër këtë emër. Ia vure emrin prej Fatmirit?

Hava: Ia vuri vjehrra ime.

Ardit Gjebrea: I kishe treguar ti vjehrrës?

Hava: Po.

Ardit Gjebrea: Ti u martove prap. Ishe e martuar edhe më parë?

HavaPo pra.

Ardit Gjebrea: Ti ishe e martuar dhe lindi djali i vogël Fatmiri. Ndodhi një vrasje dhe ta morën. Pse ta morën?

Hava: Ma mori dhe më tha që do e rris vetë, pastaj kur e mora vesh unë, ata e kishin çuar në shtëpinë e fëmijës.

Ardit Gjebrea: A e ke menduar ndonjëherë djalin?

HavaE kam menduar, e kam kërkuar po nuk ma kanë dhënë.

Ardit Gjebrea: Ku ke bërë kërkesë?

Hava: Në Elbasan, në gjendjen civile, e kam të vështirë Ardit.

Ardit Gjebrea: E do zemra e nënës ta takojë atë djalë?

Hava: Po si se do, ai ishte i pafajshëm. Erdhën ma morën, kam kaluar shumë strese. Shkoja nëpër spitalet, kam kaluar disa herë strese, me ilaçe, zemër, tension etj.

Në këto momente shfaqet Fatmiri me gruan dhe shkon e përqafon nënën e tij pas 45 vitesh. Një moment mjaft emocionues dhe përlotës për të gjithë.