Grupi “Rebelde” zbulojnë surprizën e madhe, por 2 prej tyre nuk do të rikthehen

Prej kohësh tashmë është bërë e ditur se grupi “Rebelde” do të rikthehet. Ky lajm i ka gëzuar pamasë fansat që mezi kanë pritur që grupi të zbulojë surprizën që kanë përgatitur.

“Rebelde” do të mbajnë një show virtual në 26 dhjetor. Megjithatë ata nuk do të jenë 6, por 4 pjesëtarë. Dulce Maria dhe Alfonso Herrera nuk do të mund të marrin pjesë.

Dulce Maria ka treguar se midis dhjetorit dhe janarit ajo pret të lindë vajzën, pasi siç dihet aktorja është në pritje të ëmbël. Kjo është arsyeja pse nuk mund të marrë pjesë në show.

Ndërsa Alfonso Herrera nuk do t’i bashkohet grupit pasi ai ka qenë gjithmonë i fokusuar tek pjesa e aktrimit dhe jo e këndimit. Aktorja Maite Perroni u shpreh e mërzitur që ata nuk mund të jenë të gjashtë, por tha se është e lumtur që do të rikthehen.

“Do të ketë mungesa, sepse ne jemi 6 rebelë. Prandaj për ne, kjo më shumë sesa rikthim, është një tribut për muzikën tonë. Për ne do të jetë një moment i veçantë ku do të japim të gjithë dashurinë, energjinë tonë dhe do të ndajmë një moment magjik me njerëzit e kësaj gjenerate”-tha Perroni.