A është normale të bërtasësh si Shqipja

Shqipja, një nga vajzat konkurrente të “Për’Puthen”, është një nga personazhet më të komentuar në internet ditëve të fundit, jo për mirë.

Në listën e komenteve në YouTube dhe rrjete të tjera sociale, Shqipja kritikohet dhe ofendohet për mënyrën se si komunikon me të tjerët në studio.

Ajo është në qendër të vëmendjes kryesisht për faktin që debaton me tone të ashpra, ngre zërin, bërtet në shumicën e debateve në studio, ndaj nëpër komente shumë ndjekës shkruajnë se ka nevojë për psikolog, madje opinionisti Arjan Konomi i përmendi sot (e hënë, 12 tetor) psikiatrin.

Duhet patur kujdes në fraza si “ke nevojë për psikolog” ose “të duhet një psikiatër”, sidomos kur kjo “këshillë” (në thonjëza, sepse në shumicën e rasteve përdoret me tone fyese) vjen nga njerëz jospecialistë të fushës. Pra, dikush që bërtet si Shqipja, jo detyrimisht duhet çuar në psiakiatri. Por a është normale? Sigurisht që jo.

Dr. Magdalena Battle, e specializuar në psikologji dhe autore në LifeHack.org, një nga burimet kryesore kushtuar përmirësimit të shëndetit mendor, lumturisë, produktivitetit etj., thotë se e rëndësishme është që të kuptohet se të bërtiturit nuk është normale dhe arsyet e mundshme mbi këtë mënyrë reagimi janë:

1 – Aftësi të dobëta për të përballuar situatat: Shumë njerëz bërtasin sepse mekanizmi i tyre që përballon situatat është në vështirësi. Të tillë persona, janë mësuar të përgjigjen në këtë formë gjatë gjithë jetës, por kjo nuk është e shëndetshme.

2 – Humbja e kontrollit: Një person mund të bërtasë sepse ndjen se ka humbur kontrollin në një situatë. Ata mbingarkohen nga mendimet, emocionet dhe ndjenjat që përjetojnë dhe i shkarkojnë ato duke bërtitur. Atyre u mungojnë aftësitë për të përballuar situatën. Ata bërtasin që të kuptojnë se kanë kontroll mbi gjërat.

3 – Ndjenja e kërcënimit: Disa njerëz, zakonisht ata që priren të ngacmojnë ose bullizojnë të tjerët, përpiqen të reagojnë ashpër, sepse ndihen të kërcënuar. Të bërtiturit është mjet që ata e përdorin në mënyrë aktive në çdo kohë kur ndihen të kërcënuar.

4 – Prirjet agresive: Disa njerëz janë thjesht individë agresivë. Ata bërtasin dhe agresioni i tyre mund të kalojë në përleshje fizike.

5 – Sjellja e mësuar: Disa njerëz bërtasin sepse janë rritur në familje kur prindërit kanë bërtitur gjatë gjithë kohës. Ata mësohen që në lindje me konflikte dhe kështu përshtasin këto forma sjelljesh. Atyre nuk u janë mësuar format e duhura të përballjes me situata dhe konflikte.

6 – Ndjenja e të lënit pas dore: Disa njerëz ngrenë zërin dhe bërtasin nga zemërimi sepse ndiejnë se personi tjetër nuk po i dëgjon ose nuk po i kupton. Ata priren të përsërisin mesazhet disa herë.

Problemi me të bërtiturin qëndron në faktin se nuk kemi të bëjmë me komunikim. Sipas Psych Central, një faqe e pavarur e ndërtuar nga profesionistë të shëndetit mendor, të bërtiturit është sjellje agresive, jo e shëndetshme. Kur njerëzit arrijnë pikën e të bërtiturit, janë në modalitetin e zemërimit jo të shëndetshëm. Besimi irracional i bën të mendojnë se kanë të drejtë dhe të tjerët janë gabim, gjë që do të ndërlikohet edhe më shumë pasi zemërimi jo i shëndetshëm u errëson mendimet. Mbi të gjitha, të bërtiturit nuk e bën argumentin e dikujt më bindës.

Duhet thënë se nuk është hera e parë që shohim dikë të bërtasë në studio televizive. Shqipja nuk është kurrsesi një rast i kufizuar. Nuk ka studime të mirëfillta pse ballkanasit dhe shqiptarët se pse debatet e tyre përgjithësisht karakterizohen nga tonet e larta dhe fyerjet. Ndoshta ndikon mungesa e një komunikimi model, si edhe shumë faktorë, të vështirë për t’u përcaktuar për sa kohë nuk ka studime në këtë problematikë. Sidoqoftë, specialistë në fusha si shëndeti mendor, lumturia, produktiviteti, komunikimi dhe jo vetëm, citojnë:

“Zemërimi është acid që mund t’i bëjë më shumë dëm enës ku është hedhur, sesa gjësë në të cilën derdhet.” – Mark Twain.

Marrë nga Revista Anabel