Rama takohet me Mitsotakis, dalin pamjet nga darka mes dy kryeministrave

GREQI

Kryeministri Edi Rama është takuar mbrëmjen e sotme me homologun e tij grek, Kyriakos Mitsotakis. Në mediat helene janë bërë publike pamjet nga darka mes dy liderëve.

Më herët është raportuar se në fokus të takimit do të jenë marrëdhëniet mes dy vendeve si dhe çështja e detit, një temë që ka shkaktuar diskutime të shumta gjatë javëve të fundit.

Pak kohë më parë, Mitsotakis deklaroi në Parlament se Greqia do të zgjerohet me 12 milje në Detin Jon, dhe për këtë do të nisë bisedimet me palën shqiptare.

Nga ana tjetër, Kryeministri Rama ka përsëritur disa herë se nuk ka asnjë marrëveshje me Greqinë dhe se bisedimet për këtë çështje mbetën pezull që në kohën e Qeverisë Tsipras kur dhe u ndërrua pushteti.

Ndër të tjera, Rama ka thënë se zgjerimi me 12 milje në det është një e drejtë ndërkombëtare e çdo shteti dhe aplikohet aty e lejon hapësira fizike.

Kryeministri Rama ndodhet në Athinë pasi po merr pjesë në një forum të organizuar nga “The Economist”.