Ju mund ta keni humbur interesin për pandeminë, por jo ajo për ju

Eshtë shastisëse se sa shpejt është përhapur pandemia, pavarësisht të gjitha përpjekjeve për ta ndaluar atë. Më 1 shkurt, dita e parë kur covid-19 u shfaq në kopertinën e The Economist, Organizata Botërore e Shëndetësisë numëronte 2,115 raste të reja. Më 28 qershor raportimet ditore të saj arritën në 190,000. Atë ditë, më shumë raste të reja ishin shënuar në çdo 90 minuta, nga sa ishin regjistruar në total deri më 1 shkurt.

Bota nuk po përjeton një valë të dytë: ajo nuk e kaloi kurrë të parën. Dihet se rreth 10 milion njerëz janë infektuar. Pothuajse kudo ka raste të regjistruara (megjithëse, Turkmenistani dhe Koreja e Veriut nuk kanë, ashtu si edhe Antarktida). Për çdo vend të tillë si Kina, Tajvani dhe Vietnami, që duket se janë në gjendje të frenojnë virusin, ka shumë të tjerë, në Amerikën Latine dhe Azinë e Jugut, ku ai është tërbuar. Të tjerët, përfshirë Shtetet e Bashkuara, rrezikojnë të humbasin kontrollin ose, në pjesën më të madhe të Afrikës, janë në fazën e hershme të epidemisë. Evropa është diku në mes.

Më e keqja nuk ka ardhur ende. Bazuar në studimet e kryera në 84 vende, një ekip në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets llogarit se, për secilin rast të regjistruar, 12 kalojnë të pa regjistruar dhe se për çdo dy vdekje nga covid-19 të llogaritura, një e tretë u atribuohet shkaqeve të tjera. Pa një shpikje mjekësore, thotë raporti, numri i përgjithshëm i rasteve do të rritet në 200-600 milion, deri në pranverën e vitit 2021. Në atë pikë, një shifër midis 1.4 milion dhe 3.7 milion njerëzish do të kenë vdekur. Edhe atëherë, mbi 90% e popullsisë së botës do të jetë ende e prekshme nga infeksioni – edhe më shumë nëse imuniteti rezulton të jetë i përkohshëm.

Rezultati aktual varet nga mënyra se si shoqëritë e menaxhojnë sëmundjen. Këtu lajmet përmirësohen. Epidemiologët e kuptojnë se si të ndalet covid-19. Mund ta marrësh në mjedise të mbyllura, në turma, kur njerëzit ngrejnë zërin. Të varfërit janë më të prekshëm, siç janë të moshuarit dhe ata me sëmundje të tjera. Virusin mund ta frenosh me tre taktika: ndryshim të sjelljes; testim-gjurmim-izolim; dhe, nëse këto dështojnë, bllokime apo izolime si ato të marsit. Sa më keq që një vend është me testimet – dhe shumë qeveri nuk kanë arritur të ndërtojnë kapacitete të mjaftueshme – aq më shumë duhet të bjerë tek dy taktikat e tjera. Shëndeti i mirë publik nuk ka nevojë të jetë i kushtueshëm. Dharavi, një lagje e varfër prej 850,000 banorësh në Mumbai, arriti të zbusë një shpërthim.

Trajtimet janë përmirësuar, falë studimeve dhe trajtimit të pacientëve. Megjithëse vaksinimi masiv është ende larg me muaj, në rastin më të mirë, terapitë e para janë të disponueshme. Dihet më shumë rreth asaj se si të menaxhohet sëmundja – mos u nxitoni t’i vendosni njerëzit në respirator, por futini në oksigjen sa më herët. Trajtimi më i mirë ndihmon në shpjegimin se përse pjesa e pacientëve në spital, të cilët vazhduan të pranohen në kujdes intensiv, ra në Britani nga 12% në fund të marsit, në 4% në fund të majit.

Dhe ekonomitë janë përshtatur. Ato po vuajnë ende, natyrisht. J.P. Morgan parashikon që niveli i pikës më të lartë në gjysmën e parë të vitit në 39 ekonomitë që ndjek, do të jetë rreth 10% e GDP. Por punëtorët e mbërthyer në “ferrin” e Zoom, kanë zbuluar se mund të marrin shumë duke punuar nga shtëpia. Në Kinë Starbucks krijoi porosinë “pa kontakt”, duke shkurtuar kohën që kalojnë klientët në kafenetë e veta. Zinxhirët e furnizimit që patën vështirësi, tani funksionojnë pa probleme. Fabrikat kanë gjetur mënyra për të ndalur turnet, të mbrojnë stafin dhe ndryshojnë modelet e të punuarit, në mënyrë që kontakti personal të minimizohet.

Tani që bllokimet në mbarë vendet kanë marrë fund, qeveritë mund të bëjnë shkëmbime të arsyeshme – të ndalojnë grumbullime të mëdha në mjedise të mbyllura, fjala vjen, dhe dhe të lejojnë rihapjen e shkollave dhe dyqaneve. Ndonjëherë, si në disa shtete amerikane, njerëzit do të relaksohen shumë dhe do të duhet të bëjnë prapakthehu. Të tjerët do të mësojnë nga gabimet e tyre.

Problemi është se, pa kurë ose vaksinë, frenimi varet nga njerëzit që duhet të mësojnë të ndryshojnë sjelljen. Pas panikut fillestar të covid-19, shumë janë duke u bërë mohues dhe rezistentë. Maskat ndihmojnë në ndalimin e sëmundjes, por në Evropë dhe Amerikë disa refuzojnë të mbajnë një të tillë. Larja e duarve vret tërësisht virusin, por kush nuk është rikthyer në zakonet e këqija të dikurshme? Festat janë të rrezikshme, por të rinjtë e mbyllur me muaj kanë zhvilluar një sjellje “kujt i bëhet vonë?”. Më e rëndësishmja, teksa muajt kalojnë, njerëzit thjesht duhet të fitojnë para. Në vjeshtë, numri i rasteve të reja të konfirmuara mund të rritet dukshëm.

Ndryshimi i normave shoqërore është i vështirë. Thjesht shikoni AIDS-in, që prej dekadash dihej se mund të ndalej përmes seksit të sigurtë dhe shiringave të pastra. Megjithatë, në 2018, 1.7 milion njerëz ishin infektuar rishtazi me HIV, virusin që e shkakton atë. Eshtë më e kollajtë për të folur për Covid-19 se sa AIDS, por më e vështirë për t’a shmangur. Mbajtja e maskës ka të bëjë kryesisht me mbrojtjen e të tjerëve; të rinjve, të shëndetshëm dhe asimptomatikë u kërkohet të ndjekin rregullat, për të mbrojtur të moshuarin dhe të dobëtit.

Ndryshimi i sjelljes kërkon komunikim të qartë nga figura të besuara, kombëtare dhe lokale. Por shumë njerëz nuk u besojnë politikanëve të tyre. Në vende të tilla si Amerika, Irani, Britania, Rusia dhe Brazili, të cilat kanë numër më të lartë të rasteve, presidentët dhe kryeministrat minimizuan kërcënimin, u luhatën, dhanë këshilla të këqija ose u dukën më të interesuar për fatin e tyre politik, sesa atë të vendit të tyre – ndonjëherë të gjitha këto bashkë.

Covid-19 është këtu për ca kohë. Të dobëtit do të kenë frikë të dalin jashtë dhe inovacioni do të ngadalësohet, duke krijuar një ekonomi 90%, e cila vazhdimisht nuk mund të arrijë potencialin e saj. Shumë njerëz do të sëmuren dhe disa prej tyre do të vdesin. Ju mund ta keni humbur interesin për pandeminë. Nuk ka humbur ajo interesin për ju.