BE na mbylli kufijtë, Pipero: U ndëshkuam pasi kemi qenë të sinqertë

TIRANE

Mjeku i njohur infeksionist, Pëllumb Pipero i ftuar pasditen e sotme në Euroneës Albania tha se ndryshe nga faza e parë e këtij virusi, kur ishte e nevojshme mbyllja e detyruar e qytetarëve apa karantinimi, në fazën e dytë janë 2 gjëra që duhen pasur gjithmonë parasysh, të cilat sipas tij nëse zbatohen, do të bëjnë të mundur vënien nën kontroll të virusit për 1 javë deri në 10 ditë.

“Faza e dytë e kësaj epidemie do mirëkuptim dhe bashkëveprim; nga përgjegjësia e qeverisë kalon në përgjegjësi të të gjithë qytetarëve në respektim të dy masave fare të thjeshta. Kjo pandemi ishte historike dhe na dha një mësim historik; distanca dhe mbajtja e maskës, krahas higjienës, janë të mjaftueshme për ta mbajtur nën kontroll këtë epidemi. Atje ku janë respektuar këto masa rezultatet kanë qenë shumë të mira.

Do t’ju lutesha të gjithë qytetarëve që edhe sot pasdite, në darkë apo nesër në mëngjes të nisin të respektojnë distancën dhe vendosjen e maskës dhe për 1 javë apo 10 ditë epidemia vihet nën kontroll”, tha mjeku.

Pipero e cilësoi të nxituar vendimin e BE për të veçuar Shqipërinë nga lista e vendeve të vizitueshme, duke u shprehur i bindur se ky vendim është i pabazuar në të dhëna reale.

“Situata tek ne nuk është në atë nivel që rrezikon shëndetin e qytetarëve në vendet fqinje. Ne kemi një numër shumë të vogël, në raport me komunitetin jashtë Shqipërisë. E them si specialist i shëndetit publik nuk rrezikohet shëndeti i askujt pse vjen në Shqipëri.

Mjafton të mbajmë maskën e të ruajmë distancën. Tek ne, për shkak të strategjisë së gjurmimit të rasteve dhe tamponimit edhe të kontakteve, ky numër del relativisht i madh. Në vendet e tjera tamponi nuk i bëhet kontakteve, vetëm rasteve klinike.

Ne kemi qenë të sinqertë në shifrat që kemi dhënë, pasi në këtë situatë e vërteta është më rëndësishme se statistika”, theksoi ai.