Dramë në Kukës, banorët e RENEA në kërkim të trupit të shoferit

Një kamion ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në ujërat e liqenit të Fierzës në Kukës. Kamioni drejtohej nga një 37-vjeçar me iniciale F.Ll.

Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Ura e Kolshit.

Për gjetjen e trupit të drejtuesit të mjetit të tonazhit të rëndë janë angazhuar polumbarët e forcave RENEA. Në vendngjarje ndodhen efektivë të policisë si dhe dhjetëra banorë të fshatit Kolsh si dhe nga Kukësi.

Polumbarët vazhdojnë kërkimin në ujë. 37-vjeçari me gjithë kamionin është nën ujë në rreth 15 metra thellësi.

37-vjeçari ka qenë shofer i një firme ndërtimi. Ai ka lënë gruan dhe tre fëmijë të mitur.

Ky rast është viktima e dytë në liqen për ditën e sotme, pasi në mesditë u mbyt një 16-vjeçar nga fshati Bardhoc, ndërsa dy javë më herët një tjetër 16-vjeçar u mbyt në liqen në afërsi të Kukësit.