Fshatari i Bashës dhe fermeri i Ramës

U bënë ca ditë që qytetarëve u serviren dy realitete të kundërta; realiteti i Lulzim Bashës dhe realiteti i Edi Ramës për fermerët.

Basha thotë se se sot fshati është i harruar nga dora e shtetit dhe gjendja e banorëve të tij është në kufijtë e mbijetesës, ndërsa Rama kundërpërgjigjet herë vetë, herë përmes ministrit të Bujqësisë, Blendi Çuci me shembuj, sipas tij, të një blegtori e bujku të fshatit shqiptar që është shndërruar në një sipërmarrës të suksesshëm, ashtu si në modelet perëndimore.

Modeli i fshatarit të Lulzim Bashës dhe modeli i fermerit të Edi Ramës jo vetëm që nuk kryqëzohen askund, por ecin paralel dhe në kahe të kundërta me njëri-tjetrin. Në takimet e kreut të PD-së ka pakënaqësi e revoltë me Qeverinë, shtetin dhe të gjitha institucionet e tij.

Në takimet e Edi Ramës shfaqen fermerë sipërmarrës të suksesshëm, e që nuk kursejnë lëvdatat për punën e institucioneve.

Kur Basha takon fshatarin e Zall-Bastarit në Tiranë, që ankohet për çmimin e naftës, taksën e tokës, mungesën e rrugës dhe mungesën e tregut për të shitur produktet e tij, Rama i përgjigjet me fermerin e domates me 1 hektarë serra në Thumanë, që punëson dhjetra banorë të zonës dhe e ka tregun e sigurtë për shitjen e produktit.

 

Kur Basha takon fshatarin e Divjakës, që i ankohet për mungesën e ndihmës së shtetit për shkak se nuk plotëson kushtet e vendosura, Rama i përgjigjet me fermerin e Mollasit në Cërrik, që ka shndërruar në pemtore një hapësirë deri dje djerrë.

Kur Basha hedh videon e fshatarit të Ndroqit, që thotë se e ka ngritur serrën e tij me para të marra borxh dhe “as e di se çfarë është mbështetja financiare nga shteti”, Rama përgjigjet me modelin e suksesshëm të fermës së manaferrave të Armelinit në Krutje të Lushnjes, ku është ndalur ministri i tij i Bujqësisë, Blendi Çuçi.

Basha thotë se Qeveria nuk ka para për të ndihmuar fermerët dhe ka shpikur kritere absurde për të mos i subvencionuar. Kreu i PD-së premton ndryshimin e skemës së subvencioneve, duke ndihmuar financiarisht fermerët në bazë të prodhimit.

Rama nga ana tjetër deklaron se paratë nuk mungojnë, por ajo që ka munguar deri më tani, sipas tij, ka qenë mungesa e vizionit nga ana e fermerëve.

Këto janë disa nga rastet kur kreu i mazhorancës dhe kreu i opozitës paraqesin realitete të kundërta të gjëndjes së fshatit, duke na pështjelluar të vërtetën? Për të kuptuar një pjesë të së vërtetës mjafton të kthehemi pak muaj pas në kohë, kur Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural lëshonte kushtrimin se fondet IPARD të Bashkimit Europian rrezikoheshin të digjeshin për shkak të mungesës së projekteve cilësore.

Burime për Gazetën “Si” pohuan vjeshtën e vitit të kaluar se Ministri i Bujqësisë e ngriti shqetësimin në mbledhjet e Qeverisë dhe në takime të tjera zyrtare dhe jozyrtare se 43 milionë euro të Bashkimit Europian për të ndihmuar bujqësinë, agro-kulturën dhe agro-turizmin rrezikojnë që të digjen për mungesë projektesh.

Shkak i mungesës së projekteve janë disa dhe ato lidhen me problematikat e titujve të pronësisë, mbivendosjes së këtyre titujve, mosplotësimi i kushteve teknike, burokracitë, korrupsioni, mosinformimi në kohë i fermerëve, e deri tek mosbesimi dhe mungesa e kulturës së vetë fshatarëve. Fondet IPARD II janë pjesë e programit 2014-2020 të ndihmës financiare të BE-së për zhvillimin e zonave rurale.