Rinisin zyrtarisht udhëtimet, të gjitha infot që duhet të dini: Ja kush mund të udhëtojë

Nga dita e hënë është lejuar zyrtarisht rinisja e fluturimeve nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, por me kufizime të shumta, veçanërisht për shtetasit shqiptarë që duan të udhëtojnë jashtë vendit.

Tirana i shtohet kështu hartës së destinacioneve që kanë rinisur transportin ajror, pas kufizimeve të vendosura nga Covid-19. Megjithëse në këtë ditë të parë, jo të gjitha linjat që operojnë në vend kryen fluturimet e planifikuara.

Për të fluturuar nga TIA, udhëtarët duhet të jenë të pajisur me maska në hyrje e më pas duhet t’i tregojnë personelit të aeroportit biletën e udhëtimit, pasi hyrja është e ndaluar për shoqëruesit. Pas kalimit në tunelin e dezinfektimit, ku bëhet edhe matja e temperaturës, ndiqen procedurat normale të check-in-it.

Pengesa më e madhe e hasur nga udhëtarët që mund të kenë rezervuar bileta edhe më herët, është kushti i vendosur nga destinacionet pritëse për të pasur leje qëndrimi ose pasaportë të vendit se ku do të udhëtoni.

Nga 1 Korriku, sipas rekomandimeve të Komisionit Europian, pritet që të hiqen kufizimet për lëvizjet drejt Europës edhe për shtetasit shqiptarë, që do të thotë se nuk do të jetë kusht për të udhëtuar leja e qëndrimit.

Shqipëria ndërkohë nuk aplikon kufizime për udhëtarët që ulen në Rinas, si një masë mbështetëse për turizmin.