“Më lutej që ta sillja në shtëpi”, flet babai i futbollistit 18-vjeçar të Skënderbeut që ndërroi jetë

KORCE

Një ditë ku asgjë nuk ishte si ditët e tjera,

Një ditë ku nuk kishte asgjë brenda saj.

Një ditë që të shurdhonte nga vetmia,

Një ditë ku mërzia dukej e zakonshme.

Një ditë ku dukej sikur dhimbja ishte miku im,

Një ditë ku lulet janë ujitur nga lotët e mi.

Ku nëna lutej për shërimin e këtij djali,

Një ditë ku kujtova gjithçka…

Fëmijërinë time, fushën e gjelbërt, shokët e mi…

Një ditë ku lotoja dhe vuaja për ëndërrat, qëllimet dhe motivet e mia…

Kujtoja ditën kur lutesha për to e sot ato luten për mua…

Një ditë ku lutja është tek Zoti…

Dua t’i lutem atij për ëndërrat e mia.

Dua t’i lutem për mua…

Ishte një ditë që më kujtoi gjithë ato ditë…

Këtë poezi e ka shkruar Dorjan Tahirllari, ish-futbollisti 18-vjeçar i Skëndërbeut që humbi jetën nga një tumor malinj.

I ftuar në studion e emisionit “Shqipëria Live”, ishte babai i Dorjanit, Florenti. Ai u shpreh se Dorjani asnjëherë nuk ka folur për vdekjen dhe ishte vërtetë shumë i fortë.

Florenti zbuloi se i biri i kërkonte që të shkonte në shtëpi. “Ende nuk e besoj që ai ka vdekur”, thotë babai i 18-vjeçarit.

“Dorjani ishte një djalë i fortë. Asnjëherë nuk tha, ‘o ba të lutem më shpëto’, jo. Nuk tha kam frikë nga vdekja. I kam bërë një vizitë në Turqi.

As mamasë nuk është se i ka lënë ndonjë shenjë.

Kërkoi kur ishte në spital, ishte lufta e fundit, ishin minutat e fundit.

Ai e kishte kuptuar shumë mirë. Më lutej që ta sillja në shtëpi. Më tha më ka marrë malli për gjyshen, gjyshin, për shokët. Ende nuk e besoj që ai ka vdekur”, u shpreh babai i Dorjanit.