Koronavirusi në vend, shkon në 19 numri i personave që humbin jetën

Ministria e Shëndetësisë raporton se një tjetër e moshuar ka ndërruar jetë nga koronavirusi në spitalin infektiv, duke e çuar në 19 numrin total të personave që kanë humbur jetën nga ky virus.

E moshuara është një 84-vjeçare nga Tirana, e konfirmuar me COVID-19.

Pacientja me inicialet S.D, e shtruar prej 4 ditësh në spitalin infektiv kishte disa sëmundje bashkëshoqëruese: artrit reumatoid, fibrillation arterial dhe hipertension.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve të Spitalit Infektiv për ta asistuar në kohë, pacientja nuk ia ka dalë të mbijetojë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerës dhe i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social.