Lajme

Pse epidemia e koronavirusit është vështirë për t’u vënë nën kontroll? Disa njerëz, edhe pse pa shenja, janë burim i…

Po forcohet bindja se koronavirusi përhapet nga individë të infektuar, të cilët nuk kanë simptoma të qarta, gjë që ndërlikon betejën kundër pandemisë.

Një studim i shkencëtarëve në Singapor ka përllogaritur se rreth 10% e infeksioneve janë shkaktuar nga persona të prekur, por që nuk shfaqin simptoma.

Studiuesit zbuluan se këta individë shkaktonin përhapjen e infeksionit, duke u bërë burim i rreth 6% të rasteve në komunitet.

Në përgjigje të studimeve, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ndryshoi përkufizimin e rrezikut të infektimit për amerikanët, duke deklaruar se çdo individ duhet të konsiderohet si bartës i virusit, edhe nëse nuk shfaq simptoma, shkruan Zëri i Amerikës (VOA).

Ky fakt e bën epideminë e koronavirusit më të vështirë për t’u vënë nën kontroll se sa epidemi të tjera që kanë goditur sistemin e frymarrjes si SARS në fillim të viteve 2000.

Për pjesën më të madhe të personave të prekur, koronavirusi shkakton simptoma të lehta, si kollë dhe temperature që kalojnë pas dy-tre javësh. Për një numër më të vogël, sidomos për persona të moshuar apo individë me probleme të tjera shëndetësore, COVID-19 mund të sjellë komplikime të rënda deri në vdekje.