Amerikanët padi ndaj Kinës: Të paguajë për dëmet e shkaktuara

Në kohën kur pandemia e koronavirusit ka tronditur botën, presidenti amerikan Donald Trump e quajti ‘virusi kinez’.

Mes dy vendeve po zhvillohet një luftë e ftohtë, e cila nisi që kur një zyrtar kinez tha se koronavirusi është sjellë në Kinë qëllimisht nga ushtria amerikane.

I njëjti person, Lijian Zhao, që punon në Ministrinë e Jashtme të Kinës, ka shpërndarë së fundmi edhe një mesazh online të një gruaje amerikane, e cila hedh dyshimet se virusi ka kohë që qarkullon në SHBA.

Nga ana tjetër, një senator republikan, Josh Haëley tha të martën se Kina duhet të paguajë për dëmet që i ka shkaktuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai akuzoi Kinën se ka gënjyer për çështjen e koronavirusit dhe kjo neglizhencë po kushton mijëra jetë njerëzish dhe miliarda dollarë dëme në ekonomi.

Në krye të kritikave ndaj Kinës është rrjeti Fox News. Analisti Gordon Chang tha së fundmi se nuk i besojnë shifrat që jep Kina për përmasat e sëmundjes atje.

“Në Kinë, viktima e parë është e vërteta,” tha ai.

Në këtë vazhdë, një padi në grup është depozituar në Florida, duke kërkuar që Kina të paguajë për atë se çfarë ka bërë me trajtimin e krizës së koronavirusit.

Një firmë avokatie në Florida ka ngritur padinë ndaj Kinës dhe një seri agjencish qeveritare kineze në emër të individëve dhe biznesmenëve në SHBA dhe Florida, të cilët janë prekur nga dëmet e shkaktuara si rezultat i pandemisë së koronavirusit.