Shkencëtarët në Islandë gjejnë 40 mutacione të koronavirus

Shkencëtarët në Islandë pretendojnë se kanë gjetur 40 mutacione të koronavirusit. Mutacionet u zbuluan duke analizuar tamponë të pacientëve me COVID-19 në Islandë, ku deri tani janë raportuar pothuajse 600 raste.

Duke përdorur sekuencën gjenetike, studiuesit identifikuan se sa mutacione kishte grumbulluar virusi. Këto variante gjenetike mund të veprojnë si gjurmët e gishtërinjve të virusit për të treguar se ku e ka origjinën në botë. Shkencëtarët islandezë ishin në gjendje ta gjurmonin koronavirusin në tre vende evropiane: Austri, Itali – epiqendra e shpërthimit – dhe Angli.

Shtatë persona të infektuar ishin të gjithë në të njëjtën ndeshje futbolli në Angli. Viruset grumbullojnë mutacione ndërsa evoluojnë, gjë që mund t’i lejojë ose t’i ndalojë të sillen në mënyra të ndryshme.

Mutacioni është një proces biologjik i cili i lejon virusit të sulmojë në radhë të parë trupin e njeriut. Shkencëtarët besojnë se infeksioni ka qëndruar i përgjumur tek kafshët për vite me radhë, ndoshta edhe për dekada, përpara se të fitonte aftësinë për të kaluar te njerëzit. Studimi i viruseve duke përdorur gjenomikën ndihmon për të kuptuar se si sillen, gjë që do të ndihmojë shkencëtarët të luftojnë pandeminë spirale.

Shkencëtarët islandezë hetuan virusin brenda vendit të tyre, ku është raportuar një vdekje. Autoritetet shëndetësore islandeze, së bashku me firmën gjenetike “DeCode Genetics”, testuan 9,768 persona për koronavirusin, sipas raportimit të “Information”. Kjo përfshinte këdo që ishte diagnostikuar, si dhe njerëz me simptoma ose ata në grupe me rrezik të lartë për koronavirusin. Rreth 5,000 vullnetarë që nuk kishin asnjë simptomë u ofruan për studimin – 48 prej të cilëve rezultuan pas testimit në fakt pozitivë.

Sekuencimi i plotë i gjenomit zbuloi të dhëna se si virusi ka evoluar dhe zinxhirin e transmetimit. “Ne mund të shohim se si viruset pësojnë mutacion” tha Kari Stefansson, drejtor i “DeCode Genetics”, i cili shtoi se, “Ne kemi gjetur 40 mutacione specifike të ishullit. Ne gjetëm dikë që kishte një përzierje virusesh. Ata kishin viruse nga para dhe pas mutacionit, dhe infeksionet e vetme të gjurmueshme për atë person janë ato të virusit me mutacion”. Një person u gjet me dy variante të koronavirusit.

“DeCode Genetics” ishte në gjendje të gjurmonte sesi virusi hyri në Islandë, një vend ishull me rreth 365,000 njerëz.

Dr Stefánsson tha: “Disa erdhën nga Austria. Ekziston një lloj tjetër nga njerëzit që ishin infektuar në Itali. Dhe ekziston një lloj i tretë i virusit që gjendet te njerëzit e infektuar në Angli. Shtatë vetë kishin marrë pjesë në një ndeshje futbolli në Angli”.

Studimi nuk është botuar ende, do të thotë se nuk është ekzaminuar nga shkencëtarë të tjerë.

Dr Derek Gatherer, specialist i sëmundjeve infektive në Universitetin Lancaster, pranoi se nuk ishte i befasuar me gjetjet. Ai tha: ‘Kjo është ashtu siç do të prisnim. Të gjitha viruset grumbullojnë mutacione, por pak prej tyre janë me shumë pasoja mjekësore. Ata janë të vlefshëm në gjurmimin e origjinës së zinxhirëve të infeksionit. Duket se Islanda ka importuar mjaft infeksione nga vendet e tjera të Evropës”.

Allan Randrup Thomsen, një virolog nga Departamenti i Imunologjisë dhe Mikrobiologjisë në Universitetin e Kopenhagës, tha që rezultatet e përshkruara nga ekipi “kanë kuptim të mirë”.

Profesori Thomsen tha: “Është interesante me 40 variantet specifike që bien në tre grupime që mund të gjurmohen te burimet specifike të infeksionit. Si virolog, është shumë emocionuese që të fillosh të shohësh se cilat rrugë janë të infektuara. Është gjithashtu diçka që do të shohim shumë më tepër në vijim të epidemisë – këto lloj studimesh – sepse duam të shohim se si zhvillohen viruset”.

“Koronavirus është i njohur si një virus që mund të ndryshojë në mënyrë të dhunshme. Ne kemi parë raporte të varianteve nga Kina tashmë. Në atë mënyrë, përshtatet mirë me atë që pritet”. Një studim i mëparshëm në Kinë, botuar në fillim të marsit, sugjeroi që koronavirusi kishte pësuar mutacion me të paktën dy lloje të veçanta që kur filloi shpërthimi në dhjetor. Universiteti i Pekinit studioi gjenomin viral të marrë nga 103 raste dhe gjeti mutacione të zakonshme në dy lokacione në gjenom, të cilat ata i emëruan L dhe S. Ata pretenduan se rreth 70 përqind e pacientëve kanë kapur llojin L, i cili është më agresiv dhe ka përhapje më të shpejtë se S. S është më pak agresive, por mendohet se është lloji i parë i virusit që bëri kërcimin te njerëzit dhe po vazhdon të infektojë pacientë të rinj.

Kritikët kërkuan të bëhet kujdes për studimin sepse ishte vetëm në një sasi të vogël mostrash. Ata gjithashtu thanë që të dy mutacionet nuk do të thotë se ekzistojnë dy “raca”. Sidoqoftë, si Dr Gatherer ashtu edhe Profesori Thomsen presin që virusi të zhvillohet të bëhet më ngjitës, por më pak patogjen në të ardhmen. Ngjashëm me gripin, COVID-19 mund të jetë më i aftë të përhapet dhe infektojë më shumë njerëz pasi ai përshtatet. Sidoqoftë, variantet që bëjnë njerëzit të sëmuren vërtet mund të shuhen. Dr Gatherer tha që ky proces “mund të zgjasë nja dy vjet”. Ai tha: “Gripi i derrit H1N1 2009 ishte shumë i fortë në pandeminë fillestare të verës 2009 dhe më pas u kthye mjaft fuqishëm gjatë dimrit në vijim 2009/2010. Pas dimrit 2010/2011 ai ishte qetësuar pak dhe po sillej më shumë si një grip tipik sezonal. COVID-19 mund të kthehet në dimrat e mëvonshëm, por me siguri do të jetë pak kohë përpara se të bëhet aq i butë sa të afërmit e tij”.