Ndahet nga jeta ish-futbollisti i njohur shqiptar, nuk ka ceremoni varrimi

Tiranë

Namik Jareci, ish-futbollist i Dinamos e më pas arbitër futbolli, është ndarë sot nga jeta në moshën 78-vjeçare.

Lajmi është bërë i ditur nga djali i tij, Sokol Jareci, edhe ai ish-arbitër ndërkombëtar i FIFA-s. I biri shkruan në faqen e tij në Facebook se për shkak të situatës me coronavirusin familja e tij e mirëkupton mungesën në funeralin e të ndjerit.

‘Meqenëse jemi në një situatë të jashtëzakonshme, për të qenë korrekt me protokollin e kësaj situate, duhet të evitojmë takimet dhe grumbullimet, prandaj ngushëllimet i presim edhe nëpërmjet sms.

Ju lutem të na mirëkuptoni ashtu siç edhe ne do t’ju mirëkuptojmë’, shkruan Sokol Jareci në Facebook.

Namik Jareci ishte vëllai i një tjetër emri legjendar të futbollit shqiptar, Skënder Jareci, me të cilin ka luajtur bashkë te Dinamo, ku edhe e ka pasur trajner më pas.