E papritur/ Ish-kapiteni i kombëtares heq dorë nga shtetësia shqiptare

Përtej infermierëve, inxhinierëve, apo mjekëve, edhe figura mjaft të njohura po heqin dorë nga shtetësia shqiptare. Ish-futbollisti dhe kapiteni i Kombëtares Altin Lala ka hequr dorë nga shtetësia shqiptare. Lajmi është konfirmuar nga një dekret i Presidentit Ilir Meta në të cilin thuhet se i lejohet lënia e shtetësisë shqiptare, me kërkesë të tij, Altin Dodë Lalës.

Ish-mesfushori kaloi një nga periudhat më të sukseshme te klubi i Hanover në Bundesligë dhe tani duket se ka zgjedhur të marrë edhe shtetësinë gjermane. Ky shtet nuk lejon personat të kenë dyshtetësi dhe kjo është arsyeja që Lala ka hequr dorë nga shtetësia shqiptare.

Vetëm pak ditë më parë shtatshkurtri ishte në stadiumin ‘Air Albania’ ku mori pjesë në ndeshjen e ‘yjeve’ që qëllim kishte bamirësinë për të prekurit nga tërmeti. Lala është 44 vjeç dhe në karrierën e tij ka veshur në plot 79 ndeshje fanellën e kombëtares, duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit.

Aktualisht Lala është agjent futbollistësh, ndërsa vite më parë ka punuar edhe si zëvendëstrajner në ekipin kombëtar shqiptar, por edhe si trajneri i parë i Kombëtares U-19.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *