Futbollistët i braktisën stërvitjen, reagon Ardian Takaj

Tashmë duket se problemet janë zgjidhur, momentalisht tek klubi i Skënderbeut. Presidenti i Klubit të Futbollit Skënderbeu, Ardian Takaj bëri një reagim për mediat, pas vendimit të një dite më parë të lojtarëve të ekipit për të bojkotuar stërvitjen e radhës, për shkak të vonesës disa mujore me shlyerjen e detyrimeve dhe pagesave.

Takaj bën me dije se pas takimit të zhvilluar me lojtarët dhe stafin drejtues, këto çështje tashmë janë tejkaluar dhe se iu duk i nxituar vendimi i futbollistëve për të bojkotuar seancën stërvitore, por kjo sipas tij mund të ketë ardhur për shkak të një moskoordinimi.

“Kishte disa vonesa për pagesat që iu takojnë futbollistëve. Ata kanë të drejtat e veta, por kjo situatë u zgjidh. Biseduam dhe me ekipin bëmë dhe pagesat. Lojtarët u nxituan, ishte një moskordinim. Nuk mund të merrej një vendim i tillë nga ana e ekipit, pasi jemi si një familje dhe gjërat zgjidhen brenda familjes”, tha Takaj.

Presidenti i Skënderbeut gjithashtu shprehu dhe rezerva për paraqitjet e bëra nga ekipi i tij gjatë këtij sezoni dhe tregoi se është ende në pritje të vendimit nga Gjykata Federale për çështjen e përjashtimit nga kompeticionet evropiane.

“Nuk është se jam shumë i kënaqur me paraqitjen e ekipit deri në këto momente. Ekipi i Skënderbeut nuk duhet të ishte në këto pozicione. Ai nuk duhet të ishte në këto nivele pasi për të është investuar shumë.  Ne jemi ende në proces gjyqësor për çështjen e përjashtimin nga kompeticionet evropiane, në qershor presim vendim përfundimtar.  Besojmë tek Gjykata Federale pasi është ndryshe, presim drejtësi sepse CAS dhe UEFA janë pak a shumë e njëjta gjë”, përfundoi Takaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *