Dëshmi të komunizmit në zemër të Korçës, zbulohen bodrumet që sherbenin si qeli

Korça as më shumë dhe as më pak ka qënë një epiqendër e goditjes nga diktatura komuniste. Këtë pohim e sjell Gentjana Sula, drejtore e Autoritetit për Informim mbi Dokumentat e Sigurimit Shqiptar. Mbi 900 të dënuar politikë, 120 persona meshkuj të ekzekutuar dhe 4 gra.

Një ferr i vërtetë nga këto burgje dëshmohet në zemër të qytetit të Korçës. Ish godina e Komitetit të Partisë, menjëherë pas çlirimit të vendit ka shërbyer si burg dhe vend hetuesie në bodrumet e saj.

Për fat të mirë të trashëgimisë historike, te kjo godinë ku po investohet aktualisht për një hotel luksoz, janë zbuluar qelitë e dikurshme dhe mbishkrimet që duken si prehistorike të atyre që vuajnën diktaturën komuniste që në hapat e para të saj.

‘Këtu kanë funksionuar qelitë e sigurimit të shtetit. Janë mbajtur pa dokumentacion dhe nën tortura të rënda persona që u kërkohej të paguanin tatimet, huatë shtetërore të vendosura nga rregjimi I kohës apo të deklaronin floririn e fshehur’ thotë Gentjana Sula.

Ajo shton se janë evidentuar në këto qeli shënime domethënëse në mure të të burgosurve që nga datat, ditët e qëndrimit në izolim dhe deri te mesazhet si: “Kush bën pëson, dhe kush shpreson nuk gabon!”

Në qytetin e Korçës rezultojnë 4-5 objekte si vende izolimi që në vitet e para të diktaturës komuniste në Shqipëri. Një prej tyre që ruan ende gjurmët si ndërtesë ndodhet në krah të ish goninës së maternitetit dhe ish bashkisë në pjesën e pasme. Ylber Merdani, ish I përndjekur politik I deklaroi zyrtarëve nga Tirana se ky vend ka funksionuar si burgu I grave.

Për kreun e Autoritetit për Informim mbi Dokumentat e Sigurimit, është mëkat që këto burgje të dikurshme të mos kthehen në vend kujtese si muze. Gentjana Sula tha se Institucioni që ajo drejton është I gatshëm të afrojë dokumentacionin dhe materialet e duhura. Sipas saj, I mbetet bashkisë që këto ish burgje të kthehen në vende të trashëgimisë historike për të dëshmuar Korçën edhe si një epiqendër persekutimi komunist.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *