“Tokat e blera nga korçarët me flori, u mbrojtën nga Noli, Zogu dhe Enveri, por po na i grabisin tani”

Nga Vepror Hasani

Studiuesi, historiani dhe njeriu i letrave, Petrit F. Zeneli, ndihet tejet i shqetësuar: “Banorët e vakëfeve të Korçës: Panarit, Orgockë, Katund, Trebickë etj., gjenden në panik, na thotë ai.

Askush nuk e di çfarë po ndodh me pronat e tona. Gazsjellësi Trans Adriatik Pipeline (TAP) dhe firma anonime, mësyjnë thesaret e paçmueshme të kësaj treve, si: Pyjet e mrekullueshme, ujërat e kulluara, kullotat panoramike, tokat bujqësore e gjithçka tjetër.

Pasuritë e Vakëfeve i konsiderojnë ose si prona shtetërore, ose si mall pa zot, pasi një pjesë e banorëve ose është vendosur në qytete të tjera të vendit, ose ka emigruar në Amerikë e gjetkë. Harrojnë pushtetarët tanë se prona me tapi është e trashëgueshme dhe e paprekshme nga askush, pavarësisht se ku ndodhet pronari i saj.

Ndaj i bëjmë thirrje për ndihmë Qeverisë, Bashkisë së Korçë dhe Njësisë Administrative Vithkuq: Mos e përçudnoni trevën e Vakëfeve! Këto prona u ruajtën me fanatizëm nga Fan Noli, nga mbreti Zog dhe Enver Hoxha, ndërsa rrezikojmë t’i humbasim tani kur flitet për shtet ligjor! Thirrja bëhet në emër të vakëfllinjëve dhe grabockallinjëve kudo që ndodhen, të cilët u detyruan të largohen, sepse në këtë gjendje i katandisën drejtuesit e këtij vendi”, thekson Zeneli.

-Z. Zeneli, mund të na thoni diçka më konkretisht?        

Po. Treva e Vakëfeve prej kohësh po mësyhet prej firmave të ndryshme: aktualisht TAP-i në Mashkullorë (kështu quhet vendi ku po punohet), dhe firma të tjera anonime po ia shqyejnë brinjët kësaj zone për interesa të veta, ndërsa ne që jemi zot të vendit, nuk na kontakton kush, nuk na informojnë çfarë investimi po kryhet dhe përse do të kryhet, çfarë rrezikojmë dhe çfarë përfitojmë ne si banorë të këtij vendi. Nuk na thonë asgjë. Për ta, ne nuk ekzistojmë.

I pyesim por marrim vetëm shpërfillje. Thuhet që po bëjnë rrugë, por masa për ndalimin e rrëshqitjeve nuk marrin. Toka po rrëshqet dhe gurët e shtëpive po shkojnë në lumë. Zona nga mali i Panaritit – lumi i Treskës e deri në Osum po rrënohet. Ndërtimi i rrugës në këtë zonë nuk bëhet për ata pak banorë që kanë mbetur aty, por për qëllime të tjera. Së shpejti, tymi do t’i dalë edhe kësaj pune. Flitet për ndërtimin e një hidrocentrali, por shpjegime nuk po marrim.

Pushteti lokal hesht. Nga pushteti qendror vijnë zëra që thonë se ndërtimi i hidrocentraleve është anuluar. Ndërkohë thuhet se një hidrocentral tjetër do të ndërtohet në një tokë “pa zot” në fshatin Grabockë, por ne u themi “stop” këtyre zotërinjve: Territori i Grabockës është i blerë me flori nga 11 familje panaritase që nga gushti i vitit 1925.

 Si vërtetohet që janë të blera me flori dhe me tapi? 

Kemi dokumente të rregullta. Komplet territori i Grabockës (pyje, ara, kullota, djerrina etj.), është i blerë me flori. Por edhe pse është kështu shpërfillemi prej firmave, njësoj sikur ata të ishin në pronat e veta dhe ne grabitësit e tyre! Edhe në kohën e Fan Nolit kryeministër, më 1924, u tentua rrëmbimi i pronave të panaritasve.

E njëjta gjë ndodhi edhe me banorët e Stratobërdhës dhe Selenicës së Pishës, të cilëve donin t’u rrëmbenin pyllin dhe malin, por ata iu drejtuan Nolit me telegram, ku thuhej: “Kryeministrit Noli. Prej qindra vjetësh pareshtur, kemi zotëruar pyjet dhe kullotat e maleve tona Selenicë e Stratobërdhë. Kemi pasur rregullisht vergjitë e kullotjeve. Kemi shitur me kontratë drutë e pyjeve dhe i kemi përdorur lirisht.

Por, Mytevelinjë, tue pretenduar se kanë pasur të drejtë vakëfet mbi to, po përpiqen të na i rrëmbejnë me anë të një urdhër … me që kundër këtij lloji urdhri është i jashtëligjshëm dhe shkelje e të drejtave qartazi tona… protestojmë me tërë fuqitë dhe lusim ndalimin e ekzekutimit të urdhrit përmendur…”. Telegrami gjendet edhe sot në Arkivin Qendror të Shtetit, mban datën 20.07.1924.

Cili ishte reagimi i Fan Nolit kryeministër?

Veproi në çast. Pasi u njoh me rrethanat, në datën 5 gusht 1924, iu drejtua ministrit të Financave, Luigj Gurakuqit, me këto fjalë: “Bashkangjitur po ju dërgoj kopjen e një telegrami të drejtuar për kryesi prej … katundeve Selenicë e Pishës dhe Stratobërdhë, ku protestojnë kundër Mytevelinjve që kanë si qëllim t’u grabitin të drejtat e tyre legjitime… lutemi urdhëroni zyrat Kadastrale që të shqyrtojnë me kujdes … dhe të na njoftojnë përfundimin”. (“Tradita”, dhjetor 2002, faqe 4). Dhe në sajë të Fan Nolit, prona u mbeti sërish banorëve të fshatrave të përmendur më sipër. Por nga që vlerat e kësaj treve (male, pyje, lëndina, ujëra, mrekulli natyrore etj.), janë të mëdha, vakëfllinjëve u është dashur që shpeshherë t’i mbrojnë duke u bërë të gjithë bashkë, por edhe me armë.

Mund të na thoni një rast të tillë?

Po. Studiuesi Ligor Mile, në veprën e tij “Çështje të historisë agrare në Shqipëri”, faqe 77 shkruan: “Në trevën e Vithkuqit dhe të Vakëfeve (përfshi Lubonjën), bejlerët e Qafëzezit dhe të Koprenckës, ranë në luftë me fshatarët e asaj treve për të shtënë në dorë kullotat verore”. Në kufirin midis Trebickës dhe Panaritit, ndodhet një vend që quhet “Varri i Sutës”. Këtë vend bejlerët e Radovickës, pa përfillur pronësinë e fshatit Panarit, e shfrytëzonin çdo vit falas me bagëtitë e tyre. Një panaritas i quajtur Nuk Mara, organizoi njëherë fshatin dhe ia kthyen bagëtitë beut në Radovickë. Beu me të marrë vesh, i zemëruar, dërgoi trimat e tij për t’u hakmarrë. Në përplasje e sipër mbeti i vrarë një prej trimave të tij, që u varros në vendin ku lindi konflikti, dhe që mori emrin Suta”. (Polikron Trebicka “Trebicka në rrjedhën e Jetës”, viti 1993, fq 15).

Përplasje pronash ka pasur edhe në kohën Zogut, cili ishte reagimi tij?

Vakëfllinjtë (banorët e fshatrave Panarit, Treskë Trebickë, Orgockë, Stratobërdhë etj.), ishin kundërshtarë politikë të mbretit Zog, sepse ishin fanolistë, dhe ai e dinte këtë gjë, por pronat nuk na i mohoi kurrë. Dy dokumente të vitit 1934 e vërtetojnë këtë. Në një shkresë të Mbretërisë Shqiptare, Ministria e Ekonomisë Kombëtare (Dr. e Pyjeve), nr 970, dt 07.05.1934, drejtuar kryeteknikut të Pyjores Korçë “Mbi lëndën që kërkohet për prerje në pyllin Shera e Panaritit”, thekson se pylli quhet Shera e Panaritit, dhe para se të jepet për prerje në sasi të vogël të bëhet një studim i gjendjes së saj dhe i kufijve.

Pyjorja e Korçës e bëri studimin dhe përcaktoi se Shera e Panaritit, e ndarë në dy pjesë, fillon që nga Qafa e Stratobërdhës në lindje, vazhdon në Veri tek Përroi i Skraparit, tek Balta e Kuqe, Përroi i Dëllinjës, Përroi i Gorrulit dhe del në Qafën e Martës në Perëndim. Në Jugë është kurrizi i Malit Mashkullorë. (AQSH, fondi 325, viti 1934, dosja 12, fleta 167, 171). Edhe mbas shtetëzimit të pyllit, këta kufij dhe ky emërtim mbeti deri në ditët tona.

Cili ka qenë roli i Enver Hoxhës për ruajtjen e kësaj treve?

Panariti gjatë LANÇ-it, për 6 muaj u bë streha e Shtabit të Përgjithshëm. Për këtë, Enver Hoxha, pas Lufte ofroi si ndihmë për banorët, mundësinë për t’u vendosur në një vend tjetër, nëse ata dëshironin. Pylli i shtetëzuar i Sherës, u vu në mbrojtje; nuk iu pre asnjë degë, madje nuk u bë asnjë copë rruge për lidhjen e Panaritit me Korçën, me qëllim që pasuritë e saj të mbeteshin të paprekura, pasi në vitin 1936, italianët pasi ndërtuan rrugën Vithkuq-Shtyllë- Sherë e shfrytëzuan egërsisht këtë pylli gjigant, madje shfrytëzimi nuk u ndal as gjatë viteve të Luftës.

Kur nisën hallet e vakëfllinjëve me pronat e tyre?

Realisht hallet e tona filluan pas vitit 1990, kur gjithfarëlloj grabitësish me dokumente false ia dolën të përvetësojnë një pjesë të pyllit të Sherës. Dëmet që pasuan ishin të mëdha. Në vitin 2014 u shfaq gazsjellësi gjigant. Ardhjen e tij e pamë si bekim nga qielli, por u zhgënjyem shpejt. Buldozerët e TAP-it sulmuan pyjet. Në shtrirjen prej rreth 9.000 m dhe gjerësi 30 m, shto këtu dhe devijimet e xhepave të shumtë, u shfarosën rreth 30 ha pyje e kullota përgjatë kurrizit të Mashkullorit. Të gjithë mbetëm të hutuar.

Nuk pati asnjë marrëveshje më fshatin, asnjë kompensim apo shpërblim; vetëm shpërfillje. TAP-i e solli asfaltin deri në majë të Mashkullorit, por vetëm ato 6 km rrugë që lidhin Mashkullorin me Panaritin nuk i bënë, a thua se i jemi ne borxh TAP-it?! Por të paktën të kishin treguar pak mirësi ndaj këtij vendi të lashtë. Sipas një studimi të P. Buzëmalit, Vithkuqi është vazhdim i qytetërimit të hershëm të Panaritit paraosman.

Kujtimet e familjeve me origjinë të hershme nga Panariti (familja Adhami) flasin për një Manastir shumë të madh, me emrin “Shën Gjon”. Në Voskopojë, deri në vitet 1850 ruhej me veneracion një ikonë që konsiderohej shumë e shenjtë, e Shën Gjonit të Panaritit, atëherë me moshë 1000 vjeçare. E megjithatë pronat tona vijojnë të jenë të kërcënuara nga dëmtimet dhe grabitjet.

Ç’rrugë do të ndiqet nga ju për ruajtjen e kësaj pasurie të madhe?

Tashmë jemi të alarmuar me atë çfarë po ndodh me pronat tona. Nuk do të qëndrojmë të heshtur. Shoqata Atdhetare Kulturore e Vakëfeve, e vetmja mbrojtëse e interesave tona (prej 20 vjetësh), me gjithë anëtarësinë e shumtë në Korçë, Maliq, Fushë e Korçës, fshatrat e Rrëzës, Kolonjë, Vakëfeve dhe deri në Tiranë, do të ngrihet në këmbë e do të mbrojë fort interesat e saj!

Është punë e tyre se kush do t‘i bëjë sivjet ato 6 km rrugë; Bashkia Korçë apo TAP-i! Le ta gjejnë vetë, me marrëveshjet që kanë bërë se ku do t’i shpenzonin paratë e planifikuara prej TAP-it, për ndikim në Mjedis! Zoti u kthjelloftë mendjen pushtetarëve, që t’i duan njëlloj qytetarët e vet, pa dallim feje, krahine e bindjeje politike! Ndryshe ne do të jemi të gjithë në këmbë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *