Skënderbeu nuk dorëzohet, merr fitore të vuajtur ndaj Luftëtarit

Skënderbeu arriti një fitore të çmuar të shtunën në javën e 7-të të kampionatit kur mposhti në stadiumin e vet Luftëtarin me rezultatin 2-0. Golat erdhën në minutat shtesë të takimit nga Dita në 90+2 me penallti dhe Muja me një realizim spektakolar në 90+4′ të ndeshjes.

U mbyll kështu me fitoren drithëruese in-extremis takimi i javës së 7-të ndaj Luftëtarit dhe ekipi bardhekuq shikon nga lart skuadrat e tjera në tabelën e renditjes.

Një fitore e vuajtur kjo për Skënderbeun, por që i dha një frymëmarrje mjaft të rëndësishme për vazhdimësinë. Siç rrodhi loja, Skënderbeu rrezikonte tepër në klasifikim, nga ana morale e ekipit dhe motivimi i tij para një sfide delikate që e pret javën e ardhëshme.

Skënderbeu arriti një fitore me fotofinish përballë një kundërshtari të lehtë në letër. Tre pikëshi u vlerësua si i artë në kampin korçar, edhe për atë se Luftëtari deri në fund bëri përpjekje qoftë edhe për një barazim.

Nga ana tjetër, golat disi rastësorë të Skënderbeut me pengimin e Krasniqit në zonë dhe akordimin e 11 metërshit nga gjyqtari, apo shënjestra spektakolare e Mujës ishin më tepër se fat.

Fitimtari nuk gjykohet, prandaj për Skënderbeun vlen tashmë ringritja kur e pret një sfidë në trasfertë me Kukësin. I vetmi episod i dhimbshëm i ndeshjes mbeti dëmtimi gati horror i Gjergji Muzakës, që edhe pa këtë pasojë u aktivizua i sakrifikuar nga trajneri Ilir Daja, i cili pati bërë apel se duhej luftuar për fanellën bardhekuq e kjo erdhi me fitoren edhe pse drithëruese ndaj Luftëtarit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *