E enjte e zezë në Korçë!
Nga Dhimiter Zguro
“Lajmërohen të gjithë banorët e Korçës se ditën e Enjte, datë 26 Shtator 2019, ora 13:00, në sallën e Këshillit të Bashkisë do të zhvillohet mbledhja e Këshillit Bashkiak me këtë rend dite: – Për dhënie titulli “Qytetar Nderi” Zotit Peter L Wilson”
Teksa Bashkia e qytetit lajmëron me gëzim të madh e të patreguar më parë se zotit Peter Wilson do i akordohet titulli “Qytetar Nderi”, mua m’u nevojitën disa minuta për të mbledhur veten nga një tronditje që pësova. Tani jam disi më mirë.
Për të qartësuar disa gjëra (përfshi edhe tronditjen time), më parë duhet të shkoqitim disa të tjera. Në bazë të legjislacionit shqiptar (referuar ligjit nr. 112/2013, “Për dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe titujt vendorë të nderit”) titujt vendorë të nderit jepen për shpërblimin e veprimtarisë së shquar brenda juridiksionit të njësive të qeverisjes vendore ose për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të komunitetit brenda territorit vendor. Përsa i takon llojeve të titujve vendorë, kemi dy lloje: i pari është “Qytetar nderi”, ndërsa i dyti është “Nderi i qarkut”. Për të parin, ligji thotë se titulli “Qytetar nderi” i jepet çdo personaliteti shqiptar ose të huaj për veprimtari të shquar në dobi të bashkisë përkatëse ose për veprimtari për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të saj.
Pasi kemi dëftuar përse jepen titujt vendorë, pyetjet që shtrohen janë:
1. Kush është Peter Wilson dhe cila është veprimtaria e tij e shquar?
Jam mëse i bindur që korçarët e njohin figurën e Peter Wilsonit. Në mos imazhin e tij, secili prej korçarëve apo vizitorëve e ka parë Peterin teksa shëmbëllehet në ngjyrën gri të qytetit. Produkte të zotit Wilson janë: Kulla “panoramike”, “godina e re e Bashkisë”, “biblioteka e re e qytetit”, disa godina të tjera përgjatë Bulevardit “Republika” etj.
Veprimtaria e shquar e zotit Wilson mund të përkufizohet si “çdo gjë që Korça nuk ka qënë”.
Çfarë mund të jetë një veprimtari e shquar?
At Gjergj Fishta ka shkruar në “Hylli i Dritës”: “Mbasandej në Korçë gjen edhè sod asish që interesohen për të mirë të pergjithtë, kush tue ngrefë me mjete të veta nji shkollë, a nji kishë, a ndonji smuetore, a ndoj bibliotekë qytetse etj.Kà edhè shumë asish që kanë krye msime të nalta jashta Shqipnijet, posë se kà shumë asì tjerësh që për punë kanë kërkue botën mbarë e s’kanë ndêjë mshilë në vend të vet si zogu i pulës në gzhojë të voes.”
Veprimtari e shquar do të thotë të japësh pa pritur që të marrësh diçka në këmbim. Veprimtari e shquar është veprimtaria e kryer në shërbim dhe në të mirë të komunitetit, jo të një grupimi të caktuar individësh. Kësisoj veprimtari e shquar quhet veprimtaria e çiftit Turtulli, Anastas Lakçes, Diamanti Tërpos, motrave Qiriazi etj., të cilët i shërbyen qytetit dhe jo individëve të caktuar. Dhe meqë jemi këtu, më duhet të theksoj se Korçës nuk i mungojnë veprimtarët e shquar, Korçës i mungon vlerësimi për ta dhe të vlerësosh ata që kanë kontribuar për ty do të thotë të vlerësosh veten.
Duke rimarrë motivin përse jepen titujt vendorë të nderit “për shpërblimin e veprimtarisë së shquar” duhet nënvizuar se zoti Peter Wilson është shpërblyer me shuma të mëdha parash (të vjelura nga taksapaguesit) për çdo projekt që ka ideuar. Dhe druaj se megjithë simpatinë që udhëheqësit tanë kanë për Peterin, ai nuk është Le Corbusier i Parisit të Madh apo Petraq Kolevica dhe Qemal Butka i Parisit të Vogël.
Në rrethanat e mësipërme, por duke marrë parasysh edhe dëmet fizike dhe shpirtërore që zoti Wilson i ka shkaktuar qytetit të Korçës ai nuk mund të jetë “qytetar nderi” sepse asnjë prej punimeve të tij nuk ka qënë në shërbim të komunitetit.
2. Cila është veprimtaria e zotit Wilson për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të bashkisë?
Që t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje duhet më parë të interpretojmë kuptimin e fjalës “bashki”. Në një interpretim të gjerë themi se ligjvënësi kur përdor termin “bashki” i referohet komunitetit që përbën organin e qeverisjes vendore. Në këtë këndvështrim, titulli “qytetar nderi” është i papërshtatshëm për zotin Wilson. Ndërsa në një interpretim më të ngushtë të fjalës “bashki”, konkludojmë në një grupim të caktuar individësh që jo domosdoshmërisht janë gjithmonë në shërbim e interes të publikut.
Edhe në këtë rast titulli “Qytetar nderi” do të ishte i papërshtatshëm, ndërsa titulli që i gjegjet do të ishte “Hero i punëve të bashkisë”.
Të Premten e Madhe (E Premtja e Zezë) të krishterët kujtojnë talljen, rrahjet me kamxhik, kurorën me gjemba dhe gjithë sa duroi Krishti. Të Enjten e Madhe (E Enjtja e Zezë) korçarët kujtojnë gjithë sa duroi dhe do të durojë Korça.
Megjithë respektin që gëzoj për disa anëtarë të Këshillit Bashkiak, gëzoj më shumë respekt për veten dhe Korçën.