Familja në Korçë jeton në skamje, nusja 28-vjeçare: Ju lutem, dua edhe unë të krijoj familje

Edhe pse kanë bërë thirrje disa herë për ndihmë, për një punë ose për një vend ku të fusin kokën, familja Kollçinaku nga fshati Sheqeras i Korçës jeton akoma në kushte shumë të vështira ekonomike.

Në familje janë 4 pjestarë, një nënë e moshuar, një I ri i paralizuar dhe vëllai i tij Spartaku 31 vjeç me bashkëshorten e tij 28-vjeçare.

Shtëpia e tyre është djegur nga një pakujdesi dhe prej asaj kohe janë vendosur në ketë godinë prej secilës druhen se do të dalin shumë shpejt, pasi nuk është e tyre. E si të mos mjaftonte, prej 6 vitesh jetojnë në terr të plotë, pa energji elektrike, pa ujë dhe të zhytur në varfëri. Spartaku, 31 vjeçar, djali i shtëpisë na tregon se barra e familjes rëndon mbi të.

Me nënën dhe vëllanë e sëmurë, të paaftë fizikisht dhe mendërisht, ai rrëfen vështirësitë, përpjekjet për mbijetesë dhe pamundësisë për t’ia dalë mbanë.

“Të ardhurat e mia janë vetëm kempi i vëllait. 105 mijë që merr ky nuk dalin për asgjë. Nuk dalin për veten e tij njëherë. Pa drita, pa ujë prej 6 vitesh. Vërtitemi me të keq. Mbledhim lule e nxjerrim 4-5 mijë lek të vjetra në ditë. As ilaçet e këtyre nuk i marr dot. Prej tre muajsh i kam lënë pa ilaçe. Unë kërkoj të më shpëtojnë nga kjo gjendje. Të kaloj nga stresi nga këto kushte”, u shpreh ai.

Bashkëshortja e tij, 28 vjeçe tregon se nuk mundet me të jetojë në këto kushte. Jeta e vështirë dhe kushtet ekstreme aspak të përshtatshme i kanë privuar dhe ndjenjën e bukur të mëmësisë. Jeta për të është bërë thuajse e pamundur.

“Pa drita, pa ujë, pa asgjë. Kishim edhe një dhomë, por ai që ka shtëpinë na e mbylli dhe na la vetëm një dhomë të vogël. Sa vjen çdo gjë po shkatërrohet. Me zor të madh po jetojmë këtu. Nuk di çfarë të bëj më përpara e për kë të kujdesëm më përpara. Dua sistemimin e kunatit dhe vjehrrës që ajo jetë që ju ka ngelur të shohin dy ditë të bardha. Mos të rrinë këtu. Janë të sëmurë dhe nuk i kuptojnë gjërat. Do të jenë më mirë atje. Do më lehtësonte edhe mua që edhe unë do të krijoj një familje, të kem një fëmijë në krahë që të më thirre nënë. Nuk mundem të krijoj familje këtu, nuk mund të bëhem dot nënë”, u shpreh

Mes skamjes dhe pamundësisë, çifti kërkon strehimin e nënës dhe vëllait në një qendër sociale, çka do iu krijonte më tepër mundësi për të filluar një jetë normale nga e para.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *