10 telenovela që mahnitën shqiptarët për kaq shumë kohë!

U rritëm me to!

Me siguri i mbani mend telenovelat që na bënë për vete.

Shumë para epokës së serialeve, apo të filmave turkë, dashuria e shqiptarëve i përkiste telenovelave meksikane.

Aq shumë na mbërthenin para televizorit, sa dhe sot, dekada pas “ndarjes” nga ky fiksim i kujtojmë hera herës me nostalgji përmes ndonjë këngë, batute a sa herë e kapim veten duke përkthyer nga spanjishtja si mjeshtra të lindur.

Po cilat ishin telenovelat që na fiksuan në vitet 2000? Jua kujtoj unë!

1. “Carita de Angel” ose e njohur ndryshe si “Dulce Maria”

Telenovela më e famshme e fillimit të viteve 2000 ishte padyshim Dulce Maria. Aventurat e vajzës që fliste fshehurazi me nënën e ndjerë u kthyen shpejt në rutinën tonë të preferuar.

2. ” Cuando seas mía” (Kur ti të jesh e imja)

Paloma dhe Diego u bënë aq të famshëm sa frymëzuan shqiptarët për emra fëmijësh, personazhe humoristikë e shumë gjëra të tjera. Në fakt, fiksimi fillestar i gjysheve dhe mamave ishte Gaviota dhe Diego në filmin “Aromë Gruaje” dhe kur shqiptarët mësuan për një tjetër histori të ngjashme…e imagjinoni vetë entuziasmin. Asokohe, të gjithë flisnin për Palomën, duke e bërë pjesë të pandashme të ditës.

3. “Destilado Amor” (Dashuri dhe tekila)

Një tjetër version i Palomës ishte Gaviota e re. Kjo telenovelë ndiqej me po të njëjtin intensitet sepse mbi të gjitha luante aktori i preferuar i shqiptarëve.

4. “Amigas y Rivales” (Mike dhe Rivale)

Në 2001-in, anashkalonim çdo detyrë shtëpie, sepse në orën 17:00 fillonte Mike & Rivale. Duke filluar që nga muzika e deri tek veshjet e shoqeve të famshme, ky film na mbërtheu aq sa nisëm të krijonim skenare të ngjashme me vajzat e lagjes në mendjen tonë.

5. “Salome”

Edith Gonzales, bjondja me fytyrë ëngjëlli ishte aktorja e preferuar e shqiptarëve nëpër telenovela. Jo më kot, lajmi i ndarjes së saj nga jeta është përfolur kaq shumë së fundmi. Salome ishte një prej telenovelave që zor se do të dalë nga kujtesa jonë.

6. “Rubi” (La Descarada)

Kur themi “femër fatale” e kemi fjalën për Rubi-n! Vajza materialiste që sakrifikoi dashurinë për një jetë më të mirë u kthye në sensacion për shqiptarët. Kartolinat që dërgonim për Vit të Ri kishin padyshim foton e Barbara Morit ashtu siç çdo performancë e adoleshenteve asokohe, lidhej me këngën dhe ecjen sensuale që Rubi bënte në fillim të çdo serie. Rubi, u bë aq e famshme, sa u kthye në fenomen në Shqipërinë e atyre viteve.

7. “Teresa”

Meqë jemi tek Rubi, një përditësim i kësaj historie ishte “Teresa”. Ishim kaq të shqetësuar për atë trekëndësh dashurie, sa harruam që përfundmin e kishim parë edhe më herët.

8. “La mujer de judas” (Gruaja e Judës)

Më gjeni një lagje në Tiranë që nuk nxori një çarçaf nga shtëpia dhe vraponte si Gruaja e Judës për të trembur shokët? Shqiptarët qanë kaq shumë për Altagracian sa për ditë të tëra s’e morën veten nga fundi i filmit…

9.”Cuidado con el ángel” (Kujdes nga ëngjëlli)

Nëse titulli s’ju thotë asgjë, po ju japim një ndihmë. Mariçui! Ah, kjo telenovelë shënoi takimin e parë me dashurinë platonike të vajzave. William Levy-n!

10. La Madrastra (Njerka)

Historia e nënës që iu desh të ribashkohej me fëmijët duke u hequr si “njerka” e tyre, i preku shqiptarët në pikën e dobët! S’kishte seri që të mos shihje gjyshen e përlotur, ndërkohë që paralelisht me telenovelën të jepte leksione se sa e rëndësishme është dashuria e nënës…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *