Triumfi i një turbine fantazmë

Në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë sapo është ngritur një hidrocentral pa asnjë leje. Pa asnjë miratim. Pa asnjë marrëveshje me autoritetet. Nuk është as një koncesion. Zyrtarisht hidrocentrali nuk ekziston. Sidoqoftë ai nuk është një fantazmë, por qëndron atje, në zemër të Parkut, në pritje për të filluar punë.

Kjo është historia se si një H/C komunal, i nxjerrë nga rrjeti qyshkur Shqipëria ishte ende komuniste, plot tridhjetë vjet më parë, kërkon tani që vetëm me një deklaratë të lëshuar nga autoriteti vendor, të rikthehet në jetë.

Në thelb kjo është një manovër për të shmangur kontrollin dhe procedurat, për të bërë të pamundurën të mundur, të paligjshmen të ligjshme: ndërtimin e një hidrocentrali brenda territorit të një Parku Kombëtar, gjë e cila në kohën e sotme është e ndaluar.

Pjesa e parë

Parku, turbina dhe betoni

Duhen edhe pak metra që kanali i betonit të lidhet me burimin e ujit. Kur kjo të ndodhë, kantieri do të quhet i përfunduar dhe vepra mund të fillojë nga puna. Ai është hidrocentrali më i ri i Republikës, në zemër të Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, godina e të cilit është vendosur mbi një truall privat. Vetëm në gjashtë muajt e fundit, gjithçka këtu u transformua nga themelet.

Në fillim u thellua kanali i derivacionit. Faqet anësore u armuan me beton të përgatitur nga thasë çimentoje, të ngarkuar në lartësi me mushka.
Më pas u ndërtuan pusetat mbrojtëse dhe nyjet lidhëse të kanalit. Për pajisjet dhe llaçin u hap edhe një rrugë e re makinash.
Pastaj u zgjerua baseni i presionit.

Pastaj u zëvendësua dhe u dyfishua seksioni i tubacionit të turbinave, i ankoruar në dy blloqe betoni të mëdha.
Pastaj u ngrit një ndërtesë e re për turbinat dhe gjeneratorët.
Tani ai ka gjithçka të nevojshme për të prodhuar energji.

I mungon vetëm diçka: Leja.

Ngritja e një hidrocentrali brenda zonës qendrore të një Parku Kombëtar, pa një miratim nga Ministria e Energjisë, pa një leje për përdorimin e burimit ujor nga Këshilli i Basenit të Ujit, pa një vlerësim mjedisor nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, madje pa një leje ndërtimi nga Këshilli i Lartë i Territorit, është i pari. Si i tillë, ai e pajis ‘kaosin urban’ me një karakteristikë të re.
Gjithkush mund të pyesë: Si mund të ndodhë kështu?! Për ta shpjeguar do të na duhen më shumë radhë sesa një shkrim i zakonshëm, por së pari, le të tregojmë se çfarë po ndodh, me shpresë ta ndalojnë përpara se të jetë vonë!

Reagim i zbehtë

Ky HEC në Qarrishte të Librazhdit, një fshat kufitar në lindje të vendit, nuk po bëhet në fshehtësi. Të paktën, ndërtimi i tij nuk është më sekret për Bashkinë e Librazhdit, Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe Zyrën e Bashkëqeverisjes (një platformë komunikimi që trajton ankesat e qytetarëve).
Por deri tani asnjë nuk e ka ndaluar punën në kantier.

Një numër dokumentesh që ilustrojnë shqetësimet dhe kundërshtitë për ndërtimin e këtij HEC-i, janë duke u përcjellë përmes komunikimeve shkresore ndërinstitucionale edhe tani që po shkruhen këto radhë, por derisa autoritetet “të sqarojnë” skemën dhe procedurat, ai mund të përfundojë një herë e përgjithmonë!

“E kam denoncuar rastin. S’kam ç’bëj më shumë”, – thotë Drejtori i Zonave të Mbrojtura, Zamir Dedej. “Ligji e thotë qartë: ndalohen HEC-et brenda Parqeve Kombëtare. Kaq!”, përfundon ai.
E themeluar katër vjet më parë, administrata e tij ia doli që në 2017-ën, Kuvendi të miratonte Ligjin për Zonat e Mbrojtura, por sot, kjo administratë është e pafuqishme për të shkuar përtej denoncimit.

Zyra Rajonale (Zonat e Mbrojtura), qendra e së cilës ndodhet në qytetin e Elbasanit, gjithashtu ka kërkuar ndalimin e punimeve.
Shtatorin e shkuar, ajo vëreu një ndërhyrje të paautorizuar për hapjen e gjashtëqind metrave rrugë, ngjitur me Përroin e Qarrishtës, fare pranë vendit ku ndërtohej godina e re e hidrocentralit. Në nëntor ajo kërkoi nga kompania“IDI 2005” ndërprerjen e punimeve dhe largimin e mjeteve nga territori i Parkut Kombëtar.

Rruga e zgjeruar nga kompania, brenda territorit të Parkut.

“Ata u shmangën dhe thanë se po punonin për kanalin vaditës”, thotë Xhek Nezha, Drejtori Rajonal. “Ne po presim tani. Nëse ata shkojnë më tej, ne do të ndërhyjmë” përfundon ai.

Por ndërsa autoritetet presin,“IDI 2005”, ka përparuar.

Në 16 prill, kompania iu drejtua Entit Rregullator të Energjisë (ERE) dhe i njoftoi se kishte përfunduar rehabilitimin e HEC-it në Qarrishte dhe se ishte gati për vënien e tij në punë.
Pa humbur kohë, në 2 maj, një tjetër shkresë e dalë nga kjo kompani udhëtoi në Fier, në Zyrën e Administrimit të Basenit Ujor Shkumbin-Seman dhe kërkoi rinovimin e lejes për përdorimin e ujit në lidhje me HEC Qarrishte.

Së fundi, kompania ka nënshkruar edhe një kontratë bashkëpunimi me OSHEE-në për shitblerjen e energjisë elektrike që do të prodhohet.
Ajo mori edhe “bekimin” e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) muajin e shkuar, kur inspektorët e IKMT-së që shkuan në vendngjarje nuk konstatuan asnjë shkelje. Sipas tyre, kompania po kryente rikonstruksionin e një prone të saj.

Por a është vërtet një rikonstruksion?

Ky përkufizim në legjislacionin e planifikimit lidhet drejtpërdrejtë me dokumentacionin e kërkuar dhe verifikohet prej autoriteteve të cilat sigurojnë kontrollin e territorit.

-Është pikërisht loja me këtë fjalë që u shërben kompanive për të shmangur leje të thelluara zhvillimore që kërkohen për ngritjen e objekteve, qoftë private, qoftë publike”, thotë Rudolf Ciku, një arkitekt nga “MRK Media München”.

“Rikonstruksioni” u përdor edhe nga inspektorët e kontrollit për të përligjur ndërhyrjen e kompanisë.

Ne e pyetëm Inspektoratin se në ç’rrethana u arrit në këtë përfundimin dhe nëse ata kishin përpiluar (inspektorët e IKMT-së)një proces-verbal inspektimi. Por nuk morëm ndonjë përgjigje.

Rikonstruksioni që kamuflon ndërtimin

Ish HEC Qarrishte i ndërtuar në vitin 1968, me kapacitet 55 kW që prodhonte dikur energji elektrike nga uji i një burimi, u fitua në ankand në 16 tetor 2017 nga kompania “IDI 2005”, një kompani që përveç ndërtimeve civile po profilizohet edhe në administrimin e hidrocentraleve.

Kompania i pagoi shtetit shqiptar 1.9 milionë lekë për një impiant të dalë jashtë pune, rrënojat e të cilit përfshinin një ndërtesë të rrënuar (45m2) dhe rreth 2000m2 truall (kanal uji).
Në pak ditë e hipotekoi dhe disa javë më vonë i kërkoi Bashkisë së Librazhdit të drejtën për ta rikonstruktuar.
Kur kërkesa u miratua, kompania mbërriti në fshat.

Në fillim nxori jashtë turbinat, gjeneratorët, tubacionet e vjetra, si dhe prishi ndërtesën e rrënuar të centralit të vjetër.
Pastaj filloi zgjerimin e kanalit të ujit,që shtrihej përgjatë faqes së malit, prej burimit deri në fshat. Më pas u zhvendos,rreth 40 metra në një tjetër truall dhe ndërtoi një godinë të cilën e quajti centrali iri.

Punimet vazhduan pa ndërprerje, ndërkohë që priteshin turbinat dhe gjeneratorët e porositur.
Në pak kohë kanali i zgjeruar i ujit mori një tjetër formë. Tuba çeliku u lidhën me basenin e ri të presionit për të transportuar ujin nëpër turbina. Në dalje të centralit të ri tubat u shtrinë thellë nën tokë (2.5m) dhe e devijuan ujin në Përroin aty pranë, duke e shteruar rrjedhën në sipërfaqen e mëparshme e cila vadiste më parë dy parcela toke, ndërsa çonte një pjesë të prurjeve në mullirin e fshatit që lëvizte gurin për të bluar grurin dhe misrin, por që tani ka ndaluar, pasi ka mbetur pa ujë.

Javën e shkuar udhëtuam në fshat. Vizituam kantierin dhe këqyrëm nga afër punimet. Kur u kthyem u konsultuam me arkitektin Rudolf Ciku, një zhvillues projektesh tek “MRK Media München”, për të krahasuar ndryshimin e objektit “të rikonstruktuar” përmes fotove të bëra në kohë të ndryshme.

Ndërtesa e re e centralit.

“Godina nuk është produkt i rikonstruksionit”, konkludoi ai. “Ajo është ndërtesë e re. Këtu s’ka asnjë element të integruar nga godina e vjetër. Për më tepër, gjendet mbi një tokë tjetër. Fotografitë e vjetra të centralit i përkasin një vlerësimi të kryer në fillim të 2014 nga KESH për ish H/C komunalë të Qarkut të Elbasanit të ndërtuara gjatë periudhës komuniste. Ish HEC Qarrishte ishte një nga tetë prej tyre.

Ndërtesa e vjetër e centralit.

Në foto duket ndërtesa e vjetër e centralit, një godinë e stilit të vjetër, me çati prej druri, e dëmtuar rëndë. Në krah ndodhet një tjetër godinë, kuadratore, pak më e lartë, që shërbente për transmetimin e energjisë në rrjetin e dikurshëm.

Pajisjet e vjetra.
Tubi i vjetër-Tubi i ri
Kanali i derivacionit i zgjeruar.

“Volumi i brendshëm ndryshon nga i vjetri, – vazhdon arkitekti, – dhe materialet e përdorura janë të reja. Siç shihet, seksioni i tubit të ri është disa herë më i madh sesa seksioni i tubit të vjetër. Të njëjtën gjë mund të pohojmë edhe për kanalin e ujit i cili ndonëse është ndërtuar mbi kanalin ekzistues,ka një dimension të ri, më të madh”, – përfundon ekspertizën arkitekti Rudol Ciku.

“Në një ndërtesë mund të kryhen shumë ndërhyrje, duke nisur nga mirëmbajtja, meremetimi, rikonstruksioni apo rindërtimi”, – thotë Kreshnik Merxhani, një arkitekt restaurator i pavarur. “Por gjithmonë duke respektuar paluajtshmërinë e pronës. Nëse kemi spostime apo shtesa në volume, ato konsiderohen ndërtime të reja dhe duhet t‘i nënshtrohen procesit të lejemarrjes”, përfundon ai.

Po atëherë, përse ka zgjedhur kompania rikonstruksionin, ndërsa ka zhvendosur ndërtesën e re të centralit, ka thelluar kanalin dhe ka trefishuar seksionin e tubave?

Po atëherë, përse ka zgjedhur kompania rikonstruksionin, ndërsa ka zhvendosur ndërtesën e re të centralit, ka thelluar kanalin dhe ka trefishuar seksionin e tubave?

Zamir Dedej, Drejtori i Zonave të Mbrojtura është i prerë:

“Marrja e lejeve për ndërtimin e HEC-eve brenda Parqeve Kombëtare është e pamundur ligjërisht”.

Kompania kërkoi rikonstruksionin e cila de-facto, shmang institucionet qendrore planifikuese, por çka është më e rëndësishme: marrjen e lejeve.
Brenda pesë ditëve nga kërkesa, ajo u pajis vetëm më një “Deklaratë” të miratuar nga Kryetari i Bashkisë së Librazhdit. Dhe kaq mjaftoi për të çelur kantierin.
Për administratorin e kompanisë lejet zhvillimore janë të panevojshme, për aq kohë që ai mendon se po rikonstrukton një HEC ekzistues.

“Unë kam një pronë dhe po e rikonstruktoj atë. Nuk po ndërtoj një HEC nga e para. Po rikonstruktoj një HEC ekzistues”, përfundon Panajot Korani, administratori dhe pronari i “IDI 2005”.

Kanali i derivacionit dhe tubi i presionit (HEC Qarrishtë)

“Ky ‘rikonstruksion’ duhej t’i nënshtrohej procedurës për leje ndërtimi, shprehet juristja Irena Dule, nga Qendra Res’publica. “Inspektimi i tij është kompetencë e Inspektoriatit,i cili në këtë rast, vlerëson nëse objekti po ndërtohet/rikonstruktohet sipas kushteve të vendosura në lejen e ndërtimit”, – përfundon.

“Është thjesht një ndërtim i paligjshëm brenda territorit të Parkut Kombëtar, -shprehet“Vëzhguesi Rural”, një organizatë që mbështetet nga “Eco-Partners for Sustainable Development” dhe që financohet nga Bashkimi Europian.

Muajin e shkuar, Inspektorati Kombëtar i Kontrollit të Territorit (IKMT) duke shprehur gatishmërinë ndaj shqetësimit të ngritur nga kjo organizate, në emër të disa banorëve për HEC-in në Qarrishte, kërkoi një informacion më të detajuar për çështjen.Le t’u shërbejë ky artikull si fillimi i ndalimit të paligjshmërisë, tani që ndërtimi po shkon drejt fundit…

–Fundi i pjesës së parë –

*Ky publikim është përgatitur me ndihmën e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi vetëm e Projektit “Vëzhguesi Rural”https://www.vezhguesirural.org/ dhe në asnjë mënyrë nuk reflekton opinionin e Bashkimit Evropian.

Rreth autorit:
Artan Rama është gazetar i pavarur, i bazuar në Tiranë, autor i disa programeve hulumtuese audiovizive.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *